Saimir Pirgu, recital ne Teatrin e Muzave

Shko poshtë

Saimir Pirgu, recital ne Teatrin e Muzave

Mesazh nga Ilda prej Tue Jan 20, 2009 5:00 am

Saimir Pirgu, recital ne Teatrin e Muzave

Sukseset e Saimir Pirgut vazhdojnë. Gjatë këtij viti tenori shqiptar do të këndojë në disa nga skenat më të njohura të botës. Ndërsa muaji shkurt shënon edhe organizimin e një koncerti recital për të. Pirgu do të ngjitet më 8 shkurt në skenën e Teatrit të Muzave në Ankona të Italisë për këtë koncert recital. Përveç një programi të plotë që do të interpretohet nga këngëtari lirik po këtë natë, Pirgut do t‘i akordohet edhe një çmim për interpretimin e tij. Tenori shqiptar merr çmimin ndërkombëtar “Franco Corelli”, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të katërt. Është pikërisht roli i Alfredos në “La Traviata”, vënë në skenën e Teatrit të Muzave në Ankona gjatë muajve shkurt-mars 2008 që e ka shpallur fitues. Me të njëjtin rol tenori arriti një tjetër sukses në Operën e Lozanës. Interpretimi i tij në operën e drejtuar nga Paolo Arrivabeni u komentua gjatë nga kritika, që e konsideroi si një nga zërat më të mirë. Viti 2008 është mbyllur suksesshëm për artistin me pjesëmarrjen si protagonist në operën “Gianni Scichi” i Puçinit, vënë në skenën e Los Anxhelosit nga regjisori i njohur Woody Allen, i cili provonte për herë të parë të drejtonte një operë. Tenori shqiptar e cilësoi si një nga bashkëpunimet më të mira. “Ishte një eksperiencë e rëndësishme për mua. Një kënaqësi e madhe, jo vetëm prej magjisë që të fal Los Anxhelosi, por për faktin që këndova në teatrin që drejtohet nga Placido Domingo. Të drejtohesh nga dirigjenti i madh James Conlon dhe nga një prej regjisorëve më të mëdhenj të Hollivudit, si Allen, një i ri si puna ime as duhet ta shkojë nëpër mend”, u shpreh Pirgu për këtë eksperiencë të suksesshme të tijën. Por për fat e për talent, Pirgu është gjendur në krah të emrave më të mëdhenj të botës lirike. Ai ishte i pranishëm edhe në koncertin e organizuar për kujtim të të madhit Luçiano Pavaroti. Mjaft i suksesshëm në skenat e huaja, Saimir Pirgu është rikthyer edhe për publikun shqiptar. Ai është ngjitur në skenën e Teatrit të Operës në Tiranë në produksione të mëdha operash. Ndërkohë që edhe 2009-a shënon një vit artistik të ngjeshur për tenorin. Në faqen e tij zyrtare janë shënuar të plota shfaqjet, skenat e huaja dhe data në të cilat do të mbahen. Parisi, Zyrihu, Amerika, Tokio dhe një sërë qytetesh italiane do të jenë stacioni i këtij viti. Lindur më 1981-shin në Elbasan, Saimiri i nisi shumë i ri studimet në muzikë, duke u diplomuar në violinë në qytetin e tij të lindjes e më pas për kanto në konservatorin “Claudio Monteverdi” të Bolzanos, nën drejtimin e Vito Brunett-it. Shumë shpejt do të vinin sukseset. Fitues i konkurseve ndërkombëtare “Caruso” e “Tito Schipa” në 2002-shin, e nis karrierën e tij me Festivalin e Operës “Rossini” të Pesaros me “Il viaggio a Reims” dhe “Adina”.

Duke vazhduar debutime të rëndësishme, artisti i ri shqiptar këndon në skenat e teatrove më të rëndësishëm të botës, duke nisur nga Opera Shtetërore e Hamburgut (Hamburgische Staatsoper), në Bayerische Staatsoper të Monaco-s, në Operën Shtetërore të Berlinit (Berliner Staatsoper), në Teatrin e Operës së Romës e në Akademinë Nacionale Italiane “Santa Cecilia”. Po ashtu, Saimir Pirgu ka kënduar në skenat e Opernhaus të Zyrihut, në “Royal Opera House Covent Garden” të Londrës në Teatrin Mbretëror të Madridit dhe në San Karlo të Lisbonës, ka debutuar në Valencia, në Teatrin Komunal të Bolonjës dhe në Concertgebouw të Amsterdamit.

Burimi: Gazeta Shqip

Ilda
antar shume aktiv
antar shume aktiv

Numri i postimeve : 295
Points : 16
Reputation : 0
Registration date : 18/01/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi