Viluni, tutje Velipojës së panjohur

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Viluni, tutje Velipojës së panjohur

Mesazh nga Ilda prej Mon Jan 19, 2009 3:02 pm

Viluni, tutje Velipojës së panjohur


Ata e filluan punën edhe këtë ditë në mëngjesin e herët. I riu i sjell materialet dhe plaku i mbërthen. Janë të dy të pagojë, ashtu si ndodh rëndom me njerëzit punëtorë. Kanë formuar me duart e tyre në drurin, që ka një ngjyrë si të kuqërremtë, një ngrehinë si anije të madhe. Po ngrenë një kazino. Po Kazino. Poshtë malit, buzë ujit. Në skaj të pyllit. Më pas, me vullnetin e pronarit do ngrenë pak nga pak dhe gjëra të tjera...Plaku vazhdon punon, ndërsa djali i shërben. Janë të heshtur. Më të heshtur edhe se Adriatiku, që në Lagunë zbutet deri në foshnjëri. Të dy i flladit si fëshfërimë puhia e ujit të ndenjur.
Plaku, 65 vjeçar...nuk e ngre kokën. Në faqet e anijes së tyre janë varur dy postera të mëdhenj, ndërsa brenda imitimi i një rrjete...Pse plak të dukem...?-na tall pas pak, kur njihemi. Në fakt, nuk është plak. Por, këtu në Vilun, ai është më i vjetri. Nuk ka njerëz. Madje, një kamerier, i duhet që të marrë vetë furnizimin në krah nga tutje dhe ta përcjellë në pasarelën e drunjtë. Ai na orienton pak me Lagunën. Duken dy-tre klube dhe dy platforma druri, që shkojnë tutje në ujë. Jemi në kufi me ekstremin jugor të Velipojës.


Në Vilun
Miri, 35 vjeçar, 3 kilometra më andej në skaj të Velipojës ka çelur dyqanin dhe pret myshterinjtë. Ka zënë një vend, për dyqanin e tij, ku në fakt pritet të ndërtohet. Ka bërë një pakt me të zotin e tokës. Ia ruan dhe nuk paguan qiranë për çikërrimat, që tregëton me të shoqen. E kanë lënë dhe ca kohë. Burri, që vazhdon punën tutje në Shkodër, i duhet ta bëjë këtë rrugë disa herë në javë. Të shikojë fëmijët, gruan dhe në fundjavë të punojë dhe të eglendiset edhe vetë. Di ku hahet mirë, ku qëndrohet mirë etj. I di të gjitha. Por, edhe shkodranët, që kalojnë aty pari, e njohin të gjithë. Edhe ai ata. Ai është njeriu i parë, që na drejton në Vilun. “Ah, kur të bahet! Nuk do ketë vend mandej”, na thotë. Vetë e ka vendosur. Sa të ndërtojë pronari do të qëndrojë. Se çdo bëhet pastaj, një Zot e di. Mbase shkon edhe ai në Vilun. Deri këtu është mirë...pastaj në 100 metra më tutje disa ndërtime të mëdha i kanë prishur... “Ani, po ju pres”, na thotë. Tash, duhet që të ecësh. I vetmi orientim është resort-i modern Rozafa, që të lajmëron se nga Velipoja të duhen dhe 4 kilometra.
Si për të gjitha gjërat e virgjëra dhe Viluni ka tagrin e vendit të mrekullueshëm. Por, nuk ka vend për plazh. “Rozafa” ka mundur të shtojë edhe këtu perandorinë e saj. Ka ndërtuar një restorant, tani kompleksi i saj do shtohet dhe me elementë të tjerë, për ta bërë Vilunin një qendër joshëse. Një kalama i vogël me një kalë të stërmadh, ka qenë njeriu i fundit, që na ka drejtuar në këtë vend, ndërsa një tjetër me një motoçikletë nuk e ndan dot Vilunin me Velipojën. E pyesim nëse ka vend për t’u larë. “Po ka vend kudo me u la, me xan peshk, me i ba të tana”, thotë dhe na lë duke ngritur një perde tymi pas vetes. Në fakt, nuk ka vend për t’u larë, uji nuk është aq i pastër, ndërsa rruga e pashtruar është e frikshme, sepse të fortët bëjnë garë se kush mbërrin i pari... që të ushqehen. Viluni përtej Velipojës i ka me pakicë njerëzit. Ka pemë, ka hidrovorin dhe mrekullinë e natyrës. E fundit, pas një rruge, e cila gjarpëron në një udhë me gunga rëre është një urë e vogël. Po e kalove atë dhe të futesh drejt një pylli halorësh, që janë skuadruar gati matematikisht, atëherë duhet të jesh i sigurt që ke mbërritur. Plaku e bën me këmbë rrugën. Ai banon afër dhe duket se Rozafa, do t’i japë punë bajagi dhe për ca kohë. Me qetësi, e bën rrugën mes pemëve. Kamerieri është këtu vetëm në verë...Miri ka kohë, që s’ka ardhur këtej.
Plazhi i Velipojës, i pozicionuar rreth 32 kilometra nga qyteti i Shkodrës, mbetet alternativa e shqiptarëve veriorë, për të shijuar detin, i cili shtrihet në këmbët e tyre. Djali i vogël mbi kalë dhe një burrë krejt i rrëgjuar, që çapitet pas tij, nuk kanë gabuar. Më i drobitur në këtë mes është kali, që duket se i ka rënë patkoi dhe thundra i është dëmtuar paq. Por, nuk bëzan. Dinjitoz i duhet të mbajë tërbimin fëminor të djalit dhe yshtjes së pronarit, me një fytyrë Kuazimodoje.

Plazhet
Viluni është pjesë e pandashme e Velipojës, por një pjesë e paprekshme, gjithsesi. Qysh nga koha e socializmit ka qenë një zonë e vështirë. E vështirë mbetet edhe sot. Atëherë, nuk lëviznin shumë gjëra, sot, sërish nuk lëvizin shumë gjëra. Në kohët e socializmit, kjo zonë ishte e vështirë, sepse ekzistonte mundësia të arratiseshe. Për fat, kjo e ka lënë vendin të pastër dhe të paprekur. Patetikët shkojnë dhe më tej, kur thonë se është realisht shkëlqimi i Vilunit që i josh shumë prej turistëve, që vinë në këtë vend. Për të qenë të sinqertë, Laguna e Vilunit ka një gjatësi prej rreth 3 kilometra dhe një gjerësi 900 metra. E veçanta e këtij vendi është se ka dhjetëra hektarë me pisha dhe plepa kanadezë. Sqarojmë se studiuesit këtu numërojnë mbi 193 lloje shpendësh. Po të vazhdosh më tej është “Rana e Hedhun” dhe fare pranë saj Shëngjinit. Nëse vendi do funksiononte si duhej rruga që lidh Shëngjinin me Velipojën duhej të mbarohej...dhe turizmi, do të kishte një dyndje të vërtetë edhe në një drejtim tjetër... Por, kuptohet se nuk po mbaron dhe me sa duket dhe për shumë kohë nuk do mund të bëhet. Është e pamundur që Velipojën ta shijosh nëse nuk e sheh edhe këtë vend. Këtë mrekulli. “Ah, e ka dhanë Zoti, më thotë burri i vjetër. Po të jenë njerëzit më të paqëm, do të kishte më shumë begati dhe më shumë qetësi”. Flet, sikur i drejtohet vetes. Ose drurit, të cilit i është kushtuar... “Viluni është i falun nga Natyra. Asht i falun”...Në fakt, banorëve të pakët të zonës u mungojnë shumë referencat historike dhe folklorike, që mund ta bënin këtë vend të përmendur edhe në atë drejtim. S’ka gjë, më mirë tokë e panjohur...na ka thënë dikush. Larg rrëmujës. Pak kilometra më andej...ajo...

Intermexo-Velipoja
Përveç disa gërmadhave të stërmëdha, asgjë nuk të shqetëson sot në plazhin e Velipojës. Një mizëri e pafundme njerëzish. Fare pak plazhe private dhe shumë të rinj. Ka ujë. Ka drita. Ka dhe plehra. Ndryshe nga vendet e tjera, çmimet e Velipojës janë shumë më të pranueshme për qytetarët. Shkodranët e llogarisin ende pushimin e tyre me 15 ditësha. Dhe, çmimet shkojnë nga 30.000 lek deri në 40.000 lek. Jo keq. Për fat, me një shtrirje gati 14 kilometra, Velipoja shtrihet që nga grykëderdhja e Bunës dhe deri tutje në Vilun. Sikur t’i ketë bashkuar me dorë...këtu ke mrekullinë e derdhjes në det të Bunës, që shkon në të gjithë konceptimin e saj dhe me lagunën e Vilunit, kënetën e Domjes etj. Duhet të jenë tash mbi 50.000 pushues, që vinë nga i gjithë vendi. Për fat, po meremetohen dy ura, që për dreq janë afër dhe po të kishte dhe një infrastrukturë më mikpritëse në hyrje, Velipoja do ishte e pakrahasueshme. Falë rërës, ujit të pastër dhe qetësisë së vendasve dhe krejt ndryshe nga e përditshmja e zhurmshme e zakonshme e tyre. Shteti bëri përpjekjen e parë në vitin 1994 për të disiplinuar diçka, kur u hartua masterplani i parë, i cili kuptohet se mbeti në mes të rrugës. Do të ishte insistimi dhe fillimi i punës për të rregulluar rrugën Shkodër-Velipojë, që të tregohej se ky vend nuk ishte harruar. Pastaj...koha tregoi abuzimet e njerëzve të saj. Pa fund prona, toka...Nëse do të ndryshojë diçka, këtu do pushojnë rreth 100.000 vetë, ose në kohë të mira edhe deri në 400.000 veta. Për këtë shtetit i duhet që të arrijë që të mos lejojë më ndërtime 200 metra pranë detit dhe elementë të tjerë, që për shkodranët e interesuar janë të pamundshme. Duket se kahu politik lëviz dhe metrat e ndërtimit pranë detit. Miri më sqaron me pak fjalë dallaveret e ndërtimeve. “Në fillim thanë 100 metra, pastaj e shtynë 280 metra (ngre supet). Po ka të tjerë, që kanë ndërtuar fare afër, dhe askush nuk u ka thënë gjë”...

Deri aty
... deri në Velipojë, duhet që t’u lësh përparësi bagëtive. O Zot, sa ka në këtë vend! Ka begati në këtë vend. E gjithë fusha e Velipojës duket se ka marrë jetë në vitet e fundit. Këtë e shikon nga shtëpitë bash të mira. Dikur nuk ka qenë kështu dhe regjimi me gjithë punët e mira, duket se nuk ia hoqi damkën e varfërisë. Edhe pse, po të kaloje këndej, era do të shtynte këndej. Fusha e Velipojës është ndër fushat më të bukura të Nën-Shkodrës e cila shtrihet mes Bunës, detit- dhe vargut kodrinor të Renc-Gjymtit. Ajo ashtu si edhe fusha e Trushit është vendosur në një graben dhe ka një reliev të ulët dhe shumë të rrafshët. Pjesa më e madhe e saj shtrihet 0-5 metra mbi nivelin e detit, kurse pjesa tjetër jo më shumë se 10 metra lartësi.
Lartësia shumë e vogël dhe përmbytjet e vazhdueshme të Bunës e kishin kthyer Velipojën në një nga kënetat më të mëdha të vendit. Sipërfaqja e kënetëzuar në mënyrë të përhershme arrinte mbi 2000ha. Kënetat kryesore ishin këneta e Pentarit, e Belajve, e Domnit, e Shqerës e Mërtezës
Bonifikimi i kënetës për kushtet e vështira topografike dhe hidrogjenike ishte shumë i vështirë. Punimet e para bonifikuese u bënë që më 1947 me ndërtimin e kolektorit të Mërtezës dhe të argjinaturës së parë përgjatë tij prej 4 kilometra për të mbrojtur fushën nga vërshimet e ujërave të kanaleve. Më vonë u zgjerua kanali i Mërtezës dhe u zgjat argjinatura e saj deri në 6 kilometër. Por një pjesë e madhe e fushës vazhdonte të përmbytej nga Buna dhe nuk kullonte dhe në verë prej kuotave të ulëta.
Më 1971 filloi ndërtimi i argjinaturës përgjatë bregut të majtë të Bunës nga Belaj në Pulaj prej 10km. Ndërtimi i kësaj argjinatura e përjashtoi mundësinë e përmbytjes së Velipojës nga Buna, pastaj filloi puna për tharjen komplet të kënetës së Velipojës që përfundoi më 1980. Nga bonifikimi u thanë dhe u përftuan 3600 ha nga 200 ha që punohej dikur. U soll uji nga zona e Trushit dhe u ndërtuan disa fshatra të rinj p.sh. ata të Gomsiqes, që erdhën pas përmbytjes së Gomsiqes prej Vaut të Dejës...

Në Vilun
Kemi pak mundësi të ndërrojmë muhabet në këtë vend. Njerëzit, ndryshe nga e përditshmja, janë të pagojë. Vetëm se, jo të mos shijojmë. Mrekullia nuk mbaron këtu, se pak më pas është dhe Rrjolli, ende i panjohur dhe i pashfrytëzuar plotësisht. Ky ndodhet matanë, por që andej të duhet të kalosh nga një udhë këmbësorësh, e cila është vetëm në Vilun. Ai është ende më mrekulli, por koha nuk premton. Ai të grish me virgjërinë dhe mrekullinë e tij. Ka një vijë bregdetare prej rreth 4 kilometrash dhe gjerësi rëre 200 m, e shtrirë komplet në një zonë me pyll shkurresh dhe dunash të vogla rëre. Dhe, t’i shtosh dhe malin, që bie direkt mbi det, atëherë do të mrekullohesh...Këtë e kuptojmë dhe kur flasim nga pak me dy banorë matanë. Një çift, që bën fjalë me dialekt...të çorienton pak. “Ajjj bukuri kote...nuk kam met fare i habitun..Aj..k’tu sikur me vdek t’tana..”. Por, djali që e shoqëron, verioren, që nuk i pëlqen asgjë nuk do t’ia dijë. “Aj më mirë ktu, apo n’fe tanen”, i thotë. Shkëputem...Mundohem të identifikoj bimët, shpendët (që tani nuk janë aq shumë), sepse kuptohet se peshqit nuk kam se ku. Më mjaftojnë ato që kam lexuar dhe mrekulluar për këtë vend. Është perlë e natyrë së tyre. Plaku më flet me shenja. Kemi lexuar se falë afërsisë së Bunës dhe ujërave të saj, sipërfaqet janë shumë të pasura me shpendë në rajon. Viluni, së bashku me grykëderdhjen e Bunës, Rezervatin e Velipojës, Kënetën e Domnit, Liqenin e Shasit, kriporen e Ulqinit, sipërfaqen kënetore të Shtojit të Poshtëm, të Ulqinit është plot me shpendë veçanërisht në dimër. Avifaunat e këtyre sipërfaqeve komunikojnë me njëra-tjetrën, por edhe me Liqenin e Shkodrës, deri në lagunën e Kunës e më gjerë. Këto sipërfaqe përfshihen në njërën prej tre rrugëve të migrimit të shpendëve të Evropës. Pikërisht, këto e tregojnë edhe rolin e rëndësishëm të Bunës në shkallë rajonale, sipas specialistëve. Aq më tepër ky rol vlerësohet me faktin se një përqindje e konsiderueshme e llojeve janë migruese dhe folezuese në këtë zonë. Rëndësi të veçantë ka pulëbardha e vogël [Larus minutus] dhe dallëndyshja e detit [Sterna sandvicensis], numri i të cilave konsiderohet i rëndësishëm kundrejt numrit të përgjithshëm për Shqipërinë dhe Mesdheun.
Edhe bimësia pyjore thuhet se ka qenë më e mirë. Por në ditët tona është bërë prerja
e paligjshme e drurëve deri në kufijtë e një shpyllëzimi të plotë. Kurse në ujë, rriten lloje që të mrekullojnë të tilla si blini [Acipenser sturio] që është lloj globalisht i rrezikuar, kublen [Alosa fallax nilotica], ngjala [Anguilla anguilla], levreku [Dicentrarchus labrax], qejfulli i verës [Mugil cephalus], qejfulli i vjeshtës [Liza ramada], shojzen [Platichthys flesus luscus] etj...Po ashtu falë Bunës kemi acugën [Engraulis encrasicholus], çeliku [Aphanius fasciatus], gjilpërëza turigjatë [Syngnathus tenuirostris], korbin e zi [Sciaena umbra], korbin e bardhë [Umbrina cirrosa], sargun [Diplodus sargus sargus], murrën [Lithognathus mormyrus], aterinën [Atherina hepsetus], gjuhëzën e Adriatikut [Solea vulgaris] etj. Këto i citoj nga një site interneti. Besoj të mirën.
...
Kaq. Po vjen perëndimi dhe tej detit kuqëlimi i Diellit po shtrin tisin e tij kudo. Burri i vjetër ka marrë tash një shishe birrë dhe pi i qetë. Ka mbaruar punë. Na përshëndet me kokë. Pak minuta më vonë na përpin pylli. Miri i ka dhënë fund ditës së tij dhe tash po i gëzohet mbrëmjes me gruan e tij pak nursëzë. Na përshëndet. Viluni mbetet pas...
Materiali i mbështetur në Arbëria Venedikase e Oliver Jens Shmitt, Gjeografia fizike e Shqipërisë dhe site të ndryshme në internet në lidhje me Bunën dhe Vilunin

Ilda
antar shume aktiv
antar shume aktiv

Numri i postimeve : 295
Points : 16
Reputation : 0
Registration date : 18/01/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Viluni, tutje Velipojës së panjohur

Mesazh nga Lec Neli prej Fri Jul 03, 2009 9:58 am

Pa mar njashtu asht, metaman Velipoja si ka derdhja Buns ashtu siedhe ka Viluni asht mrekulli natyrore me plot kuptimin e fjals, por fatkeqsisht qysh ne 1992 asht kthy ne shkatrrim apo ma mire ne kosh plehnash urbanistik0-arkitekturor. Cdo gja asht nertu si ne Afganistan, s'ka absylytisht asnji gja te nertume bukur e me parametra turizmi nerkmtare, Velipoja asht kthy hapun ne nji tmerr urbanistik-arkitekturor ku s'ka as nji impjant te perpunimit te ujnave te zeza, pa marr parasysh ktu se nuk ka as rruge e asgja te nertume persmarit. Me pak fjale uji dhe pjesa e rans gati 500-750 metra asht mrekulli sa ti lesh kto te dyja mrapa te pret nji rremuj e kasaphane nertimesh te shemtume, paleje tetana paperjashtim, dhe ku s'ka as rrug e as kanalizime te ujnave te zeza, keni parasysh se edhe rromakt para 2000 vjetve kan pas kanalizime te ujnave te zeza.
Nejse pambvarsisht ksaj un prap se prap njaty e coj familjen teme per cdo vjete, me shpresen se noshta NOSHTA nji dite ken me vu doren ne kyt mrekulli natyrore me rregull e ligje sepse asht marrja e qeveris dhe marrja e Shkodres ne kyt gjenje

Lec Neli
Antar i e aktiv
Antar i e aktiv

Numri i postimeve : 119
Points : 193
Reputation : 0
Registration date : 03/07/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi