Turizmi arkeologjik komtare

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Turizmi arkeologjik komtare

Mesazh nga Lec Neli prej Tue Aug 11, 2009 2:03 am

Shqipëria ofron një mrekulli edhe në turizmin arkeologjik


Përveç bukurive të mahnitshme të malit dhe detit, Shqipëria ofron destinacione të mrekullueshme turistike me pasuritë e saj arkeologjike. Duke nisur nga veriu në jug, qytetet antike dhe zonat e panumërta arkeologjike e bëjnë Shqipërinë mjaft tërheqëse nga një tjetër këndvështrim për turistët e huaj. Shqipëria ruan në të gjithë hapësirën e saj parqe arkeologjike të rëndësishme për vjetërsinë e tyre, por njëkohësisht mjaft interesante për turistët e huaj përsa i përket historisë së tyre. Një histori të tillë, mbresëlënëse turistët e huaj apo edhe arkeologët e apasionuar rreth antikitetit mund ta gjejnë në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, i cili është qyteti që u lind nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja sipas historianit të famshëm grek Plutarkut. Kur ishte 17 vjeç, mbreti Pirro u rrëzua nga froni pas një kryengritje kundër tij. Pas kësaj, ai shkoi në shërbim të mbretit Demetër të Maqedonisë, më vonë në oborrin e mbretit Ptoleme të Egjiptit. Atje tërhoqi vëmendjen e mbretëreshës së Egjiptit, Berenikës, duke u përzgjedhur midis princërve të tjerë për t'u martuar me Antigonën, njërën prej vajzave të çiftit mbretëror të Egjiptit. Një tjetër histoi po aq mitike është edhe legjenda që përshkon muret e Kalasë së Rozafës. Kjo kala ruan në brendësi të saj gjurmë të antikitetit. Formën e plotë që ka tani kjo kala e ka marrë mes shek.XIII-XIV. Në periudha të ndryshme në të kanë vënë dorë kryesisht në fortifikim dhe ndërtesa shoqërore, që nga balshajt shek.XIV, venecianët shek XV dhe për të vazhduar më pas me ndërtimet turke shek XVI dhe ato të feudalëve shqiptar të shek.XVIII-XIX. Një larmishmëri gjurmësh të qytetërimeve të vjetra shqiptare gjenden edhe në qytetin e Sarandës, ku përveç qytetit antik të Butrintit është edhe qyteti antik i Finiqit. Ky i fundit, gjendet rreth 8 km në brendësi nga qyteti i Sarandës, në bregdetin e Detit Jon në Shqipërinë e Jugut, rreth 20 km nga kufiri grek. Territori, që i përkiste në periudhën helenistike Kaonisë - pjesë e mbretërisë së Epirit - është i pasur me objekte arkeologjike, të cilat datohen nga periudha klasike deri në atë bizantine, në një peisazh akoma të paprekur dhe të karakterizuar, pak më në jug, nga liqeni i brendshëm i Vivarit, mbi të cilin gjendej qyteti i lashtë i Butrintit.

Madhështia e Butrintit, mikrobota e historisë mesdhetare

Shpallur monument kulture në mbrojtje nga shteti shqiptar më 1948, regjistruar si pasuri botërore e UNESCO-s më 1992, qyteti antik i Butrintit mbetet një nga zonat turistike më të frekuentuara çdo vit. Butrinti, i gjendur në bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë, është një vend magjik. Atmosfera e tij e veçantë krijohet nga një kombinim i arkeologjisë dhe natyrës, që vështirë mund të gjendet diku tjetër në Mesdhe. Bërthama e qytetit antik të Butrintit ndodhet në një kodër të vogël rrethuar nga ujërat e liqenit të Butrintit dhe kanalit Vivari. Në veri dhe në lindje, moçalet ua lënë vendin maleve të larta. Ishulli i Korfuzit mbyll pamjen në Perëndim. Butrinti është përshkruar si mikrobota e historisë mesdhetare. Për shkak të vendndodhjes së vet strategjike, Butrinti figuron në historinë e Mesdheut që nga Lufta e I-rë e Peloponezit gjer tek luftërat e Napoleonit në shek.19. Qendra arkeologjike është pushtuar në mënyrë të vazhdueshme që prej shek VIII para erës së re, monumentet e tij greke, romake, bizantine, anzhuine, veneciane dhe otomane, pasqyrojnë këtë histori të gjatë dhe komplekse. Pjesa kryesore e Butrintit si dhe shumë nga qendrat arkeologjike në afërsi të tij u shpallën monumente kulture që në vitin 1948 me aktin e parë rregullues për monumentet e kulturës. Rëndësia kombëtare e Butrintit u njoh dhe u konfirmua me regjistrimin e tij në listën e pasurive botërore të UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në 1992-in. Regjistrimi i Butrintit në UNESCO u bë në bazë të kritereve kulturore që është një dëshmi unikale dhe e jashtëzakonshme të një qytetërimi dhe tradite kulturore të zhdukur. Zona e shpallur si trashëgimi botërore në 1992, ishte zona brenda mureve që mbulonte 16 ha. Zona e rrethuar me mur e Butrintit mbulon 16 ha të qendrës arkeologjike, por janë edhe 24 ha të tjerë rrethinash antike që ndodhen në fushën e Butrintit përtej kanalit të Vivarit. Në mënyrë jo të zakontë, qendra kryesore arkeologjike plotësohet me ruajtjen e mirë të qendrave shoqëruese në brendësi të tokës. Mungesa e zhvillimit modern në rajon ka ruajtur shumë elementë të peisazhit të këtyre vendeve antike dhe vizitorit i ofrohet një rast i rrallë për të marrë arratinë nga imazhet e jetës së shekullit të 20-të dhe për të jetuar diçka të ndryshme. Historia e konservimit fillon që në vitet 1930 me punën e një misioni arkeologjik italian të kryesuar nga Konti Ugolini. Shumë monumente në Butrint janë konservuar në këtë periudhë. Për më tepër, u rikonstruktua Kalaja e Akropolit dhe u përshtat për një përdorim bashkëkohor dhe një muze arkeologjik. Butrinti, si fillim u zhvillua si një pikë edukimi dhe argëtimi për shkollat dhe vizitorët, dhe ndoshta për këtë arsye, iu dha më shumë rëndësi interpretimit të monumenteve përmes rikonstruksionit të tyre. Këto ndërhyrje përfshinë rikonstruktimin e skenës së theatrit, bazilikën, nimfeun dhe kullën veneciane. Prova qeramike që i përkasin Epokës së Bronzit të vonë e në vazhdim, tregojnë banimin e kodrave të ulta që formuan ishuj brenda pjesës së futur të detit dhe zonave moçalore të asaj që sot është fusha e Butrintit.

Përshkrimi historik, nga ekspansioni romak tek Ali Pasha

Në shek. e 4 para erës së re, Butrinti iu kthye kontrollit të pavarur Kaon dhe një provë mbishkrimore sugjeron se ai funksiononte si qendër administrative për zonën. Në këtë periudhë, pjesa më e madhe e vendbanimit u rimodelua. Ekspansioni romak në Epir filloi pas pasojave të luftës së tretë maqedonase në vitin 168-të para erës së re, në shek e 1-rë. Ndërtimi kryesor i Butrintit i kishte kapërcyer kufirin e murit rrethues të shek. 4-t deri në bregun e kanalit Vivari. Tej Butrintit u ndërtuan çifliqe të pasura si ato që kishte miku i Ciceronit, T. Pompon Atiku. Në shek 1-rë, Butrinti u deklarua si një koloni për ushtarët veteranë të luftërave civile, fillimisht prej Jul Çezarit dhe më pas nga Augusti. Krijimi i kolonisë çoi në riorganizimin e Agoras dhe zonës së teatrit, ndërtimit të një ujësjellësi, si dhe banjot publike. Që nga fundi i shekullit të tretë, zonat më të vjetra publike të Butrintit mund të kenë rënë në dispërdorim. Gjatë shekullit 6-të, u banuan përsëri vendet e fortifikuara më parë, ndoshta për t'u përdorur si strehim të ardhurish. Pas pushtimeve sllave të shek të 6-të vendbanimi kryesor i Butrintit duket se ka dështuar, duke patur kulmin në braktisjen e tij në mes të shek 7-të. Butrinti nuk është pushtuar sërish deri nga fundi i shek 9-të kur kontrollin e rajonit e morën sërish bizantinët. Nga kjo periudhë në vazhdim, fati i Butrintit ishte i lidhur ngushtë me fatin e Korfuzit dhe betejën për supremaci në rrugët detare të Adriatikut. Me vdekjen e Karlit III të Anzhuve (1836), Republika e Venedikut, e shqetësuar për të ruajtur rrugën tregtare të Adriatikut nga rreziqet që sillte Perandoria Osmane tashmë në rritje, mori si Korfuzin dhe Butrintin. Mbrojtja e Butrintit u përmirësua pas sulmit Osman të 1453-it. Pavarësisht nga ky sistem i ri mbrojtje, Sulejmani i Madh e pushtoi Butrintin dhe ndërtoi një kamp më 1538. Më 1572 venedikasit e braktisën zonën. Një gravurë e hershme e shek të 19-të, e tregon këtë vendbanim ende në përdorim. Kapitulli final në historinë e gjatë të Butrintit erdhi me ndërtimin e kalasë katrore në grykën e Vivarit nga Ali Pasha.

Kalaja e Rozafës përmes legjendës dhe madhështisë së qytetërimit të vjetër

Përveç legjendës dhe mitit, Kalaja e Rozafës me pamjen e madhështore mahnit çdo vizitor vendas e të huaj. Kalaja ka një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe është e ndarë në tre oborre. Muret rrethuese të kalasë kanë një perimetër prej 911 m. Brenda oborreve dallohen ndërtime si shoqërore (objekt kulti, depo, saranxha, burgu) dhe ato fortifikuese si kulla, mure etj. Përfundimisht, kalaja u braktis në vitin 1858 kur qeveritarët dhe administrata e qytetit u shpërngul për në qytet.

Objekti i kultit

Një objekt i rëndësishëm kulti, që ndodhet pranë mureve rrethuese, në anën veriperëndimore të kalasë ka lënë pa fjalë turistët e huaj si dhe shumë arkeologë. Ai përbëhet nga mjedisi i altarit, dhe hajati në anën jugore. Në këndin e formuar në anën e jashtme, nga këto të fundit është ndërtuar me 1479 minarja pas pushtimit turk. Me përjashtim të mureve të mjedisit të altarit, pjesërisht të rrëzuara, muret e tjerë ruhen në lartësi të mirë. Objekti është ndërtuar në fund të shek.XIII. Është ndërtuar sipas stilit romak, që është përdorur në kishat e kësaj periudhe në Dalmacinë Jugore dhe Shqipërinë Veriperëndimore.

Tempulli i Apollonisë, Pompei i Shqipërisë

Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Si qytet u themelua në fillim të shekullit të 7-të para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 588 para Krishtit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apollon. Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apollonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aoos (Vjosë). Llogaritet që qyteti të ketë patur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin. Apolonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apolloniate e arteve të bukurua ishte me famë në të gjithë botën antike. Në momentin kur në Romë, gjatë një komploti në Senat u vra Jul Çezari, nipi i tij, Oktavian Augusti, studionte oratorinë në Apolloni. Kronikat romake tregojnë sesi ai me të marrë vesh lajmin e vrasjes së Çezarit u nis me një anije nga Apollonia dhe kur, pas disa kohësh vetë Oktaviani u bë Perandor, e ruajti mirënjohjen për qytetin ku kishte studiuar, duke e liruar Apolloninë nga të gjitha taksat.

Pas një tërmeti në shek. III-të lumi Aoos ndërron shtrat, duke e shkëputur qytetin nga deti. Goditja rezultoi fatale në një epokë, ku i gjithë aktiviteti tregtar zhvillohej në lidhje me detin. Qyteti e humbi gradualisht rëndësinë ekonomike, duke u shndërruar në një qendër të thjeshtë fetare. Por, shuarja graduale dhe jo e dhunshme e jetës qytetare si dhe shndërrimi i zonës përreth në kënetë, të bonifikuar vetëm pas vitit 1945, bëri që zona arkeologjike të ruhet mjaft mirë. Arkeologët e quajnë Apolloninë Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.

Muret e Akropolit të Amantias

Amantia ka pasur të fortifikuar Akropolin rreth 220 m. Pllaja e sipërme shkëmbore në pjerrësi të ndryshme të faqeve të saj i ka detyruar ndërtuesit të përshtatin muret, teknikën e ndërtimit dhe drejtimin e tyre në përqasje me vendin. Muri i gjetur shkonte deri në 28 m dhe ndërsa mbante një lartësi deri në 8 m. Ndërtuesit e këtyre veprave antike kanë latuar shkëmbin ku janë vendosur blloqet poligonale. Një portë hyrëse në Akropol ka patur formën e një harku. Përmasat e saj janë 2.20 m e gjatë,0.12 m e gjerë, 0.11 m e thellë. Portat në Akropolin e Amantiasë në vija të përgjithshme përshkruhen të tilla, ato mbylleshin me një hark të rremë.

Stadiumi i Amantias

Stadiumi i qytetit antik daton në shek III-II para Krishtit. Zbuluar nga gërmimet në vitet 1949-'59, stadiumi ndodhet 100 m më poshtë në juglindje të fortesës kryesore. Gërmimet kanë nxjerrë në pah se, stadiumi ishte një nga monumentet kryesore të qytetit dhe shërbente për sporte si: vrapim, hedhje e shtizës, boks, hedhje e diskut etj. Stadiumi kishte 17 radhë dhe mbante 4000 persona. Në bazë të mbishkrimeve të gjetura në stadium, ndërtimi i tij është bërë në vitin 300 para erës së re dhe ka funksionuar deri rreth viteve 30 pas Krishtit. Gjatë shek. 3-2 kultura fizike pati zhvillim të veçantë dhe u ndërtuan vepra monumentale. Ky stadium ka formë antike tipike me pistë 184.8 m të gjatë dhe 12.25 m të gjerë dhe ruhet shumë mirë. Në njërën anë të stadiumit ka 17 radhë shkallësh dhe në anën tjetër 8 radhë të ndërtuara me blloqe gurësh gëlqeror.


Blerina TOSLLUKU

©️ Copyright 2005 Rilindja Demokratike

Lec Neli
Antar i e aktiv
Antar i e aktiv

Numri i postimeve : 119
Points : 193
Reputation : 0
Registration date : 03/07/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Turizmi arkeologjik komtare

Mesazh nga Lec Neli prej Tue Aug 11, 2009 2:11 am

Neritan ceka: Ne po shesim identitetin tonë


(Dërguar më: 10/08/09) Fatmira Nikolli

Në një kohë kur arkeologjia jonë po trafikohet, ajo që dëshmon lashtësinë dhe jetën e paraardhësve tanë në këto toka, ne ‘bëjmë sehir’. Ky është pak a shumë konkluzioni në të cilin ka arritur arkeologu dhe politikani Neritan Ceka. Lashtësia jonë po trafikohet, ndërkohë që ne jemi patriotë vetëm nëpër ndeshje futbolli ose nëpër sherre. Jemi ne që e shesim atë. Pikërisht ne shqiptarët që shkruajmë, botojmë libra për të dëshmuar se jemi ndër më të vjetrit në këto troje. Jemi ne që e duam dhe ne që e shesim. Ne që e mbrojmë dhe ne që e ‘mohojmë’, ne që na nevojitet, ne e shesim për para duke i mohuar vetes atë që është e jona. I shqetësuar dhe i revoltuar nga mungesa e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e pasurive kulturore, Neritan Ceka vë në dukje problemet me të cilat përballet sot kultura jonë. Një pushtet i shpërndarë në dy ministri e në disa institucione, e përgjegjësi që humbin. Teksa ne merremi me fjalë, thesarkërkuesit e thesarshitësit, vazhdojnë të bëjnë ‘punën’ e tyre duke iu mohuar bashkëkombësve të vet, atë që historia iu dha. Arkeologu flet për trafikimin e objekteve arkeologjike, për lejet e ndërtimit që jepen edhe aty ku janë zona arkeologjike, kërkimet me detektorë dhe gërmimet me buldozerë për ditë të tëra në sy të mbrojtësve të saiteve, për objektet e ekspozuara e të paregjistruara, për zhdukjen e pasurive nga muzetë lokale pas viteve ’90, kur këto të fundit kaluan nën administrimin e bashkive. Ai na jep neve një panoramë mjeruese të asaj që duhet të ishte krenaria jonë, e që në fakt në një farë mënyre është turpi jonë, sepse ne nuk e mbrojmë atë. Pasi evidenton problemet, Neritan Ceka, i cili para se të jetë politikan, është një arkeolog dhe këtë e dëshmon herë pas here, jep edhe zgjidhjen. ‘Shteti duhet të mbrojë pasurinë e vet, e po ashtu qytetarët. Shembulli i mbrojtjes është përballë, është në Itali. Ne duhet vetëm ta marrim atë’, - shprehet ai. Më tej gjatë intervistës ai shtron probleme e zgjidhje, të cilat mendon se duhen marrë parasysh.
Ka zëra që thonë se ekziston një rrjet trafikimi objektesh arkeologjike, një rrjet i cili pasi i zbulon saitet arkeologjike, i nxjerr për t’i shitur jashtë Shqipërisë. A jeni në dijeni të këtij fakti?
Ky fakt njihet prej kohësh, por ne deri sot nuk kemi arritur të ndërtojmë antirrjetin apo antitrafikun. Problemet kryesore për policinë dhe prokurorinë shqiptare kanë qenë çështjet që lidhen me trafikun e qenieve njerëzore, drogës, etj. Në këtë mënyrë është lënë pas dore çështja e trafikimit dhe vjedhjes së objekteve të kulturës. Kjo, ka sjellë dëme të pariparueshme. Kur unë kam punuar në Ministrinë e Brendshme kam ndërtuar një grup për antitrafikun e vlerave kulturore i cili nuk ka mbijetuar dhe është përfshirë në kuadrin e zyrave të tjera e që lidhen me detyra që kanë të bëjnë me lloje të tjera trafiqesh. Në një bisedë të fundit që kam pasur me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kam gjetur një mbështetje më të gjerë në këtë drejtim dhe shpresoj që të organizohet puna edhe në marrëdhënie të ngushta me policinë italiane, veçanërisht me karabinierinë. Ata kanë një traditë shumë të mirë në luftën kundër trafikut të vlerave kulturore. Besoj se është koha e duhur për ta luftuar qoftë rrjetin që është krijuar i cili pjesërisht është edhe ligjor, rrjet me shoqata që mbajnë emra të qartë që nuk kanë të bëjnë me ligjin, por janë miratuar nga gjykata shqiptare. Unë mendoj se shoqata të tilla iu duhet kufizuar aktiviteti.
Çfarë dhe kush janë ‘Thesarkërkuesit’? Ku iu lejohet të kërkojnë thesare dhe çfarë thesaresh?
Thesarkërkuesit ekzistojnë në të gjithë botën. Ata janë profesionistë që kërkojnë thesare. Sipas informacioneve që unë kam, disa janë familjare e disa shtetërore ose të ligjshme në një farë mase, por në mënyrë absolute është e ndaluar që kërkimet e thesareve të shtrihen në saitet arkeologjike, në pasuritë kulturore. Ligji e përcakton në mënyrë taksative ndalimin e ushtrimit të aktivitetit të tyre pranë qendrave arkeologjike. Për fat të keq, pushteti vendor që duhet të merret me mbrojtjen e pasurive arkeologjike brenda territorit, por edhe atyre natyrore e ujore e kështu me radhë, e kanë konsideruar ligjin për mbrojtjen e tyre si një mbeturinë të komunizmit. Ky është një mentalitet shumë i gabuar dhe i rrezikshëm, por edhe kompromentues për pushtetin vendor. Janë qindra raste, ku në sytë e kryetarëve të komunave dhe të autoriteteve vendore zhvillohen kërkime. Këto kërkime bëhen me detektorë, pastaj bëhen edhe gropa. Kjo ndodh për ditë të tëra e aty përdoret edhe buldozeri.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe në komunën e Cakranit të Fierit, ku në ekspeditën e bërë nga Instituti i Arkeologjisë u vunë re vjedhje e dëmtime të zonës arkeologjike aty...
Cakrani është një shembull i tillë në të kaluarën. Tani ka një ndryshim 100% të pushtetit vendor. Aty është pikërisht pushteti vendor që sponsorizoi gërmimet e fundit arkeologjike aty, e një shembull të tillë e ka dhënë më përpara vetëm Elbasani. Për fat të keq këtë nuk e bën Durrësi, që është një bashki e pasur, por që është armiqësore ndaj objekteve kulturore. Është një bashki që është e dhënë vetëm pas ndërtimeve dhe nuk e kupton që pasuri më e madhe e këtij qyteti është nën tokë. Për fat të keq, si kjo ka edhe bashki e komuna të tjera. Ata nuk e kanë parë se ç’bëhet në Bari apo në Romë me objektet kulturore, e ç’bëhet në Brindisi, e Venecia ku këto pasuri janë kthyer në shanse të mëdha për qytetin, sepse janë qendra turistike.
Le të mbetemi tek lejet e ndërtimit. Sipas ligjit, kur merret një leje ndërtimi në vendin e dhënë, duhet të shkojë një arkeolog që duhet të japë okein që në atë zonë nuk ka objekte arkeologjike. Kjo nuk ndodh gjithmonë e shpesh, janë hasur mure të vjetra në trojet ku kanë hedhur shtat ndërtime moderne...
Kjo është pjesë e ligjit, sipas të cilit çdo leje ndërtimi duhet të ketë firmën e përfaqësuesit të Institutit të Monumenteve. Por këtu ka një problem më të madh se ai që thashë unë. Është problemi i përgjegjësive lokale por edhe i atyre qendrore, sepse nuk është koordinuar reforma që është bërë në drejtim të kërkimeve arkeologjike. Pas kësaj reforme nuk ka një Këshill koordinues dhe as një logjikë koordinuese e cila mund ta disiplinonte çështjen e monumenteve. Edhe ata që kanë përgjegjësitë, janë të shpërndarë në 5 ose 6 institucione. Për shembull, arkeologët e parqeve arkeologjike, e muzeve arkeologjikë dhe të Institutit të Monumenteve varen direkt nga Ministria e Kulturës, në Shërbimin Arkeologjik Shqiptar, varen nga sërish nga ajo e Kulturës, në universitete varen nga Ministria e Arsimit, dhe së fundi në Institutin Arkeologjik që është pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike, varen nga Ministria e Arsimit. Natyrisht është një kaos i vërtetë dhe rezultati është i qartë, njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Pra, vazhdon shkatërrimi masiv i monumenteve të Kulturës, asnjeri nuk mban përgjegjësi, asnjeri nuk është në vendin e në kohën e duhur. Kjo çështje ka nevojë për një model.
Cili do të ishte ky model dhe si do të funksiononte?
Modeli është në Greqi dhe në Itali. Në këto vende ka institucione që e mbikëqyrin të gjithë aktivitetin e varen nga Ministri i Kulturës. Në një linjë të vetme e në një organizim, i cili duhet bërë edhe në Shqipëri. Nuk është e nevojshme që ne të kemi 12 drejtori rajonale të kulturës kombëtare, të kemi 8 parqe arkeologjike dhe disa muze arkeologjike secili më vete. Kishat dhe manastiret janë në një gjendje të keqe, pikturat e tyre po shkatërrohen dhe kjo ndodh edhe me qendrat historike siç është Gjirokastra dhe Berati. Duhet të kemi më shumë zona të mbrojtura. Duhet të jetë një institucion i vetëm që varet nga ministri e që kontrollon të gjithë sistemin. Në këtë mënyrë është ai që jep lejen, edhe për gërmime arkeologjike, ai e mbikëqyr qendrën arkeologjike dhe është ai që jep lejet e ndërtimit e bën restaurimet. Ne modelin e kemi përballë, duhet vetëm ta marrim.
Në shumë muze privatë e shtetërorë ekspozohen objekte arkeologjike. Disa i kanë pa certifikatën e regjistrimit të tyre ...
Në përgjithësi, në muzetë shtetërorë janë të regjistruar. Katastrofa ka ndodhur në vitin 1992-1993, kur muzetë iu dhanë bashkive. Që nga ajo kohë e deri më sot nuk është bërë asnjë inventar i tyre. Pra, ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur me objektet që ishin në Muzeun e Elbasanit, në atë të Fierit, etj. Asnjeri nuk ka shkuar që të verifikojë se çfarë bëjnë punonjësit e emëruar nga bashkia. Këta janë njerëz që ndryshojnë sa herë ndryshon kryetari i bashkisë por edhe më shumë se kaq. Janë mijëra objekte që janë zhdukur e kanë marrë rrugën e tregjeve. Problemi tjetër është ai i muzeve privatë. Ka një ligj që i lejon këto muze. Lejohen tregtia e objekteve arkeologjike që janë pjesë e koleksioneve private, duke marrë modele të përparuara. U bë kjo me mendimin që ky liberalizim do të sillte kufizimin e trafikut të paligjshëm por kjo nuk ka ndodhur sepse nuk ka një organ që ti kontrollojë dhe nuk ka shërbim të orientuar drejt goditjes së këtij trafiku kur është i paligjshëm. Nuk ka asnjë të dënuar nga organet tona gjyqësore për trafik të objekteve kulturore. Ndërkohë që në muzetë tona ka 20 vite që nuk futet më asnjë objekt i gjetur rastësisht siç ndodhte më përpara. Nuk gjendet më objekte në sheshe ndërtimi, as në toka bujqësore, por të gjitha ato që gjenden marrin rrugën e kurbetit. Në këtë mënyrë objektet humbin përgjithmonë identitetin, sepse nuk regjistrohen. Ne po humbim vlerat kulturore. Këtu tek ne ndodhin gjëra të çuditshme. Nga njëra anë ne kemi patriotizëm që shprehet në fusha futbolli, e në sherre. Ka 10-15 libra të botuar ku ne mundohemi të vërtetojmë që shqiptarët janë populli më i vjetër në Mesdhe, dhe duam të themi që e gjithë mitologjia greke e ka origjinën nga mitologjia ilire, etj, e nga ana tjetër, objektet që mund të na japin shpjegime në këtë drejtim e mund të sqarojnë çështje të rëndësishme, po këta patriotë të mëdhenj i marrin dhe i shesin ku të munden, pa asnjë brejtje ndërgjegjeje. Kjo mund të kufizohet vetëm me masa drastike. Ka ardhur koha të jemi të rreptë e të pamëshirshëm tek kushdo që prek identitetin e kombit tonë. Ne kemi debate pa fund për identitetin, e nga ana tjetër po këta ‘patriotë’ s’e kanë për gjë të shesin pjesë të identitetit tonë që janë mbishkrime, që janë vazo, s’e kanë për gjë të fusin buldozerin e të prishin qendra të tëra arkeologjike, s’e kanë për gjë të japin leje ndërtimi mbi mozaikë edhe mbi monumente, apo të heqin nga lista e monumenteve disa qendra vetëm për të favorizuar njerëz.
Në shumë ambiente private gjenden amfora të vjetra, mbase të gjetura nën ujë... Si mund të mënjanohet ky problem dhe si mund të zgjidhet?
Kjo ka ndodhur për faktin se kërkimet arkeologjike nënujore nuk janë të disiplinuara, sepse këto kërkime janë një e drejtë ekskluzive e shtetit. Çdo kërkim nënujor dhe jo vetëm arkeologjik por edhe çdo pasuri tjetër, mund ta bëjë vetëm shteti. Pjesa arkeologjike është vënë në ligjin e pasurive shtetërore dhe parashikohen edhe ndëshkimet përkatëse, të cilat nuk zbatohen asnjëherë. Qoftë edhe rojat bregdetare kanë detyrë ta zbatojnë me rigorozitet. Shteti duhet të ndryshojë filozofinë e të mbrojë pasurinë e tij, kombëtare e të pazëvendësueshme. Krahas kësaj duhet të mbrojë pronat e tij që po pushtohen e po shkatërrohen, të ruajë edhe kullotat edhe ujërat që të mos hidhen inerte. Duhet të kemi një filozofi më evropiane në mbrojtjen e asaj që është e jona. Ne jemi gati të miratojmë me ligj martesat gei, dhe nga ana tjetër jemi shumë larg standardit të ruajtjes së pasurisë sonë kulturore.
Ç’mund dhe ç’duhet të bëjë Ministria e Kulturës?
Duhet të përqendrohet tek mbrojtja dhe restaurimi i monumenteve të kulturës. Këto të fundit janë në kaos. Duhet që të marrë modelin e Italisë, ne nuk kemi nevojë ta shpikim, duhet vetëm ta aplikojmë. Është një përvojë e gjatë dhe e suksesshme e tyre në këtë punë dhe është një filozofi e ngjashme me atë që ka qeveria Berisha, pra pasuritë kulturore duhet të integrohen në zhvillimin e tyre. Kjo nuk mund të bëhet pa një punë intensive. Unë ju siguroj që sot ne harxhojmë 10 herë më shumë se në kohën e komunizmit për pasuritë kulturore, kemi më shumë njerëz se atëherë dhe kemi 10 herë më pak mbrojtje se atëherë. Kjo sepse paratë nuk arrijnë në objektiv. Në objektiv arrijnë vetëm një pjesë nga masa e madhe e parave që shteti jep për objektet. Paratë avullojnë para se të arrijnë në destinacion.

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare

Lec Neli
Antar i e aktiv
Antar i e aktiv

Numri i postimeve : 119
Points : 193
Reputation : 0
Registration date : 03/07/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Turizmi arkeologjik komtare

Mesazh nga Lec Neli prej Tue Aug 11, 2009 3:04 am

Pasuritë antike dhe mesjetare që fshehin Joni dhe Adriatiku mund të jenë në të ardhmen pjesë e guidave nënujore

"Liburna", tre javë kërkime nënujore në Gjirin detar të Vlorës

Gjiri detar i Vlorës ka qenë për tre javë, radhazi stacioni i kërkimeve nënujore arkeologjike në kuadër të projektit italo-shqiptar, "Liburna". Që nga viti 2007, kur ka nisur të materializohet ky projekt janë zbuluar me dhjetëra objekte të rëndësishme që nga antikiteti e deri në mesjetën e vonë, por mbi të gjitha është krijuar baza për fillimin e turizmit arkeologjik nënujor. Gjatë një konference për shtyp të organizuar dje në mesditë, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, bashkëdrejtori i këtij projekti, Dr. Adrian Anastasi tha se: Rezultatet e këtyre kërkimeve nuk ndalen vetëm në rrafshin akademik, por mundësojnë nismën për krijimin e siteve nënujore, falë bashkëpunimeve të gjëra dhe projekteve të inkuadruara në UNESCO. Dr. Anastasi, nënvizoi bashkërendimin që ka nisur mes strukturave shkencore arkeologjike me Policinë Kufitare bregdetare dhe Rojen Bregdetare të Forcave tona Detare, për bllokimin e grabitjes së objekteve të rëndësishme arkeologjike që ndodhen nën ujë. Turizmi arkeologjik nënujor në bregdetin shqiptar është krejtësisht i mundshëm, tha Anastasi. Pasuritë antike dhe mesjetare që fshehin detet Jon dhe Adriatik, mund të jenë në të ardhmen pjesë e guidave nënujore, gjatë të cilave turistët mund të zhyten për të vëzhguar nga afër objektet arkeologjike dhe pse jo, ndoshta edhe një muze të vogël nënujor ku do të ekspozohen enë prej qeramike, amfora, spiranca anijesh të mbytura, etj. Prof.Giuliano Volpe, bashkëdrejtues i projektit dhe rektor i Universitetit të Foggias (Itali) tha se Gjiri detar i Vlorës paraqitet si një port i madh, ku në të gjitha periudhat nuk mungojnë vendet e ankorimit të anijeve si në Gadishullin e Karaburunit dhe në zonën e bregut të Vlorës. Porto Palermo ishte gjiri detar që u bë objekt i fushatës së parë arkologjike nënujore për tre javë radhazi në gusht të vitit 2007. "Ne kemi kontrolluar me kujdes në një thellësi prej deri 40 metra, ndërsa thellësitë në mesin e Gjiut detar të Porto Palermos arrijnë në 70-80 metra", tha Prof. Volpe. Materialet arkeologjike të zbuluara janë depozituar tashmë në Muzeun e Durrësit dhe përfshijnë një periudhë kohore gati 2 mijëvjeçare. Amfora korintike, greko-romane, të tjera të ardhura nga ishulli i Rodit, madje edhe nga bota Siro-Palestineze janë dëshmi e shkëmbimeve të fuqishme tregtare mes porteve të brigjeve të Ilirisë jugore me ato të Mesdheut dhe më gjerë, thotë Prof. Giuliano Volpe. Ai përmendi zbulimin e objekteve të ndryshme si statueta, spiranca anijesh, monedha, amfora të periudhave të ndryshme, të cilat janë gjetur në Orikum, Triport, Gjirin e Gramës, etj. Sipas Prof. Volpes, gjatë këtyre tre vjetëve arkeologët zhytës me mbështetjen e forcave detare të Guardia di Finanza, Rojes sonë bregdetare dhe institucioneve kërkimore shkencore shqiptare, kanë kryer 327 zhytje me rreth 314 orë qëndrimi nën ujë. Laboratori i ngritur në Orikum dhe pjesëmarrja e studentëve shqiptarë në ekspedita është një arritje tjetër e projektit "Liburna, shtoi Prof. Volpe. Ekspedita që zgjati nga 25 korrik-9 gusht të këtij viti ka hedhur bazat për realizimin e hartës arkeologjike në katër zona ujore nga Durrësi deri në Sarandë. Vitin e ardhshëm ne do të fillojmë zhytjet kërkimore edhe pranë Durrësit, ndërsa po përgatitet edhe ngritja e një kantieri arkeologjik në brigjet e Vlorës. MTKRS shqiptare, Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë dhe rajoni i Pulias kanë qenë mjaft aktivë në mbështetjejn e projektit tonë, u shpreh Prof. Giuliano Volpe. Bregdeti është i mrekullueshëm, ndërsa pasuritë arkeologjike nënujore të pafund, përfundon Prof. Volpe.
Gëzim Kabashi
*********************************************************************************************************************
Arkeologët: Amforat në Butrint edhe nga Siria e Spanja

Amforat e zbuluara në një vilë romake në Butrint të nxjerrë në dritë 2 vjet më parë, enë luksi të kohës, kanë mbërritur në këtë qytet nga Siria, Spanja e ishujt e Greqisë në Shekullin e parë, të dytë dhe të tretë, të erës sonë. Është ky vlerësimi i arkeologëve të një ekspedite që është ndalur në studimin e tyre. Një skuadër e përbashkët specialistësh shqiptarë dhe të huaj, ku bëjnë pjesë edhe studentë, janë duke punuar mbi qeramikën dhe kockat e kafshëve të zbuluara rishtas si dhe në studimin e materialeve të gjetura më parë.
Gërmimet në Butrint, të nisura nga italianët, më pas grekët dhe shqiptarët në 1994, janë përqendruar në bazilikën e Akropolisit, ku vijon restaurimi, tashmë edhe në banjat romake, apo varret.

©️ Copyright 2005 Rilindja Demokratike

Lec Neli
Antar i e aktiv
Antar i e aktiv

Numri i postimeve : 119
Points : 193
Reputation : 0
Registration date : 03/07/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Turizmi arkeologjik komtare

Mesazh nga Lec Neli prej Tue Aug 11, 2009 4:23 am

Studentet e Oksfordit, germime ne Adrianopol

E Marte, 11 Gusht 2009


Studentet e universitetit te Oksfordit ne Britanine e Madhe jane bere pjese e germimeve arkeologjike te kesaj vere ne rrenojat e Adrianopolit antik ne rrethin e Gjirokastres. Studentet angleze jane pjese e misionit arkeologjik shqiptaro-italian, i cili kete vere eshte rrikthyer per te katertin vit radhazi, ne lidhje me vazhdimesine e germimeve arkeologjike dhe studimeve per qytetin antik te Adrianopolit. Sipas njerit prej drejtuesve te misionit arkeologjik, profesorit italian Roberto Perna, "pjese e ekspedites arkeologjike, puna e se ciles do te zgjase per nje muaj rresht; jane nje ekip i Universitetit te Macerates (Itali), specialiste te Institutit Arkeologjik te Shqiperise, studente te universitetit te Oksfordit dhe universitetit te Gjirokastres". Eshte hera e pare qe arkeologe te mberritur nga Britania e Madhe do te jene pjese e kerkimeve dhe studimeve ne kete zone te njohur arkeologjike. "Ashtu si ne kerkimet e realizuara ne Butrinit, edhe ketu ne Adrianopol mendojme se studentet angleze te Oksfordit do te japin nje kontribut te vecante", thote arkeologu Dhimiter Condi, drejtues i arkeologeve shqiptare ne kete ekspedite.

Pas rikonjicioneve te territorit te realizuar ne muajin maj, objekti i radhes i misionit arkeologjik ne rrenojat e Adrianopolit antik do te jete thellimi i germimeve ne qytetin romak, duke sjelle ne drite struktura te ndryshme monumentale. "Per kete motiv", thote arkeologu Perna, "do te thellohen kerkimet ne brendesi te nje ndertese te madhe publike te zbuluar ne vitet e shkuara, me qellim per te sqaruar planimetrine si dhe funksionet" . Ne te njejten kohe, arkeologet do te realizojne kerkime dhe studime ne zonen publike midis objektit te lartpermendur dhe teatrit. Sipas arkeologut shqiptar Dhimiter Condi, "ne kete zone, qe nga germimet e vitit 2008 eshte individualizuar prania e nje ndertese tjeter te madhe, edhe kjo e karakterit monumental; e cila eshte ndertuar ne nje periudhe me te vone". Pas gjetjeve te para te kesaj vere ne nentoken e Adrianopolit antik, ne laboratoret e ngritur ne ambjentet e Qendres se Misionit Arkeologjik ne Gjirokaster ka nisur katalogimi dhe studimi i tyre, me qellim ekspozimin ne te ardhmen prane Muzeut Arkeologjik te Lugines se Drinos. Sipas perfaqsuesve te misionit arkeologjik shqiptaro-italian ne Adrianopol, kerkimet e kesaj vere jane pjese e projektit Archadrin, i cili krahas elementeve studimore synon edhe njohjen, mbrojtjen dhe vleresimin turistik te pasurive kulturore dhe arkeologjike, jo vetem te qytetit romak te Adrianopolit, por gjithe Lugines se Drinos, nje zone mjaft e pasur dhe me vlera te vecanta ne kete drejtim.

B. Kore

©️ 1991 - 2009 Koha Jone

Lec Neli
Antar i e aktiv
Antar i e aktiv

Numri i postimeve : 119
Points : 193
Reputation : 0
Registration date : 03/07/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Turizmi arkeologjik komtare

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi