Pushimet, Berisha, Meta dhe Olldashi "pushtojnë" Dhërmiun

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Pushimet, Berisha, Meta dhe Olldashi "pushtojnë" Dhërmiun

Mesazh nga ADMIN prej Tue Aug 04, 2009 7:58 pm

Pushimet, Berisha, Meta dhe Olldashi "pushtojnë" Dhërmiun
Rama në SHBA, Topalli në Durrës. Topi e Bode, ende në zyrë
Eva Gjura


Zgjedhjet e 28 qershorit dhe krijimi i kabinetit të ri qeveritar janë dy arsyet që i kanë detyruar politikanët shqiptarë të zgjedhin për të pushuar bregdetin shqiptar. Pothuajse të gjithë politikanët me në krye kreun e qeverisë, Sali Berisha, nga mesi i muajit korrik dhe në vazhdim janë drejtuar drejt Dhërmiut, Himarës, Jalës dhe Sarandës, duke preferuar që së bashku me familjet dhe miqtë e tyre të presin krijimin e qeverisë së re nga bregu i Jonit. Të gjithë janë të përfshirë në "ethe" për të mësuar se cilët do të jenë emrat më të pëlqyer dhe të preferuar për Kryeministrin Berisha dhe kryetarin e LSI-së, Meta, të cilët do të zgjedhin për t‘u besuar postet më të larta të kabinetit qeverisës, por edhe drejtimin e Kuvendit. Emrat e parë kanë nisur të artikulohen, por asgjë nuk është e sigurt, pasi takimet e fshehta mes Berishës dhe Metës vijojnë ende në bregdetin jonian. Berisha, së bashku me bashkëshorten, Liri, dhe familjen e së bijës, Argitës, dhe të të birit, Shkëlzenit, prej disa ditësh janë zhvendosur në plazhin e Dhërmiut për të kaluar disa ditë të qeta. Por duke e bërë fshatin e Dhërmiut, "kryeqytetin" e Shqipërisë për disa ditë, pasi i gjithë shteti pothuajse është zhvendosur atje. Por pavarësisht këtyre pushimeve, Berisha duket se nuk e ka lënë mënjanë punën, pasi çdo ditë inauguron rrugë e pret shirita, ndërkohë që pasditeve herë pas herë negocion edhe me kryetarin e LSI-së, Meta. Edhe ky i fundit prej disa ditësh së bashku me bashkëshorten, Monika, dhe fëmijët janë për pushime në plazhin e Dhërmiut. Po kështu, në Dhërmi ndodhen për pushime pranë Kryeministrit edhe disa nga ministrat aktualë të kabinetit qeverisës si ministri i Transporteve, Olldashi, deputetët e qarkut Vlorë, Ardian Kollozi etj., si dhe disa nga këshilltarët e Kryeministrit mes të cilëve edhe Petraq Milo. Por për pushime nga politikanët shqiptarë nuk është i preferuar vetëm plazhi i Dhërmiut, brenda preferencave të politikanëve dhe ministrave mbetet edhe bregu i qytetit të Vlorës, Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës. Në Durrës për pushime herë pas here shkon Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila preferon edhe bregun e Shëngjinit. Topalli ende nuk ka marrë pushim të plota, pasi herë pas here ajo duhet të jetë në zyrën e saj për të zhvilluar takime të cilat janë të paracaktuara dhe nuk mund t‘i shmangë. Po kështu, pushime të pjesshme po zhvillon dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila fundjavave gjendet në Durrës, ndërsa gjatë javës në zyrën e saj. Po kështu, në zyrë kjo javë e nxehtë gushti ka gjetur edhe ministrin e Financave, Ridvan Bode, së bashku me ndihmësit e tij zëvendësministrat. Po kështu, sa në punë dhe me pushime janë edhe ministrat e tjerë të kabinetit qeverisës. Asnjëri prej tyre nuk mund të largohet i qetë nga tryeza e punës pa u kthyer në zyrën e Kryeministrit Berisha ndaj për të qenë sa më pranë zyrës ata gjenden mes Durrësit dhe Tiranës në pritje të çdo zhvillimi të papritur që mund të vijë si rrjedhojë e një telefonate të bërë nga Kryeministri Berisha. Më të lirë duket se janë deputetët të cilët pas përfundimit të zgjedhjeve pjesa më e madhe e tyre kanë fikur telefonat, duke shijuar pushimet e tyre të qeta, duke qenë edhe të sigurt se një pjesë e mirë e tyre nuk janë në preferencat e kreut të qeverisë për t‘u bërë pjesë e kabinetit në katër vitet e ardhshme. Ndaj ata shijojnë të qetë mandatin e deputetit në pritje të fundit të gushtit ku do të bëhen publikë dhe emrat e ministrave të rinj.


Rama, për pushime në SHBA


Pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit të cilat nuk rezultuan të suksesshme dhe mbledhjes së lodhshme dhe të gjatë të asamblesë së PS-së, kreu socialist, Edi Rama, ka vendosur të largohet për pak ditë pushime, duke udhëtuar drejt SHBA-së. Mësohet se Rama do të qëndrojë në SHBA deri më 10 gusht për t‘iu rikthyer më pas sërish intensitetit të zhvillimeve politike në vend. Ndryshe nga drejtuesit e lartë të shtetit dhe të PD-së, Rama nuk ka preferuar të pushojë në bregdetin shqiptar. Po kështu, për pushime jashtë shtetit konkretisht në SHBA së bashku me familjen e tij ndodhet edhe deputeti i PS-së, Andis Harasani, ndërsa drejtues të tjerë të kësaj force politike po pushojnë në bregun shqiptar. Për deputetët e PS-së pas përfundimit të zgjedhjeve gjërat janë më të qarta dhe më të qeta për ta për vetë faktin se nuk janë të përfshirë në ethet e zgjedhjes së qeverisë. I vetmi shqetësim i tyre është fakti se kush do të jetë në krye të grupit të PS-së, nënkryetarët e tij dhe emrat e kujt do të besojë Rama si nënkryetar të Kuvendit. Por dhe kjo dilemë pothuajse është e zgjidhur, pasi tashmë Rama i ka të qartë mbështetësit dhe ata do të përfitojnë edhe benefiqet e para.





Presidenti


Topi, javën tjetër për pushime në Dhërmi



Megjithëse ditët e nxehta janë në kulmin e tyre, për Presidentin e vendit, Bamir Topi, ende nuk kanë nisur zyrtarisht pushimet. Stafi i tij bën të ditur se ai ndodhet në punë dhe e gjithë kjo javë do të jetë javë pune, pasi ka aktivitete, të cilat ende nuk janë mbyllur. Pushimet për kreun e shtetit do të nisin javën tjetër dhe ashtu si zyrtarët e tjerë të lartë edhe ai ka zgjedhur për të pushuar bregun shqiptar. Së bashku me familjen dhe disa nga miqtë e tij më të mirë, ai do të pushojë në vilat rezidenciale në Jalë dhe Dhërmi, ku aktualisht është familja kryeministrore. Kjo e fundit pritet që nga java tjetër të largohet që andej për t‘ia lënë vendin kreu të shtetit të kalojë disa ditë pushimesh në bregun e mrekullueshëm të Jonit. Ky kombinim pushimesh duket se është bërë për të shmangur takimet e mundshme mes Presidentit dhe Kryeministrit dhe për rrjedhojë edhe të ndonjë përplasjeje të pakëndshme, pasi dihet se kohët e fundit marrëdhëniet mes tyre janë paksa të ngrira. Për kreun e shtetit, megjithëse pushimet ende nuk kanë nisur zyrtarisht, ai së bashku me miqtë dhe herë pas herë edhe me familjen janë parë në vilat rezidenciale në qytetin e Durrësit, duke kaluar një fundjavë ndryshe, të qetë dhe larg zhurmës dhe temperaturave të nxehta që ofron kryeqyteti në këto ditë gushti.



Zgjedhjet

Zgjedhjet e 28 qershorit dhe dalja e rezultateve të tyre kanë bërë që pjesa më e madhe e zyrtarëve të lartë të shtetit, por edhe e ministrave të mos largohen nga Shqipëria, duke preferuar t‘i bëjnë pushimet në bregdetin shqiptar. Kryeministri dhe vartësit e tij, por edhe drejtuesit e LSI-së kanë preferuar Dhërmiun, Himarën, Sarandën e Jalën për të pushuar.



Qeveria

Pjesa më e madhe e drejtuesve të PD-së, por edhe e drejtuesve të LSI-së janë të përfshirë nga ankthi i krijimit të qeverisë së re. PD-ja dhe LSI-ja kanë arritur një marrëveshje bashkëqeverisëse mes tyre, por Berisha dhe Meta ende nuk kanë vendosur se cilët do të jenë emrat që do të drejtojnë vendin katër vitet e ardhshme. Kjo ka bërë që ata të mos largohen për pushime jashtë vendit, por të mbeten këtu


Viti i kaluar

Tradita e zyrtarëve të lartë shqiptarë është që pushimet t‘i kalojnë jashtë vendit, në zona turistike që ofrojnë mjaft luks dhe komoditet për xhepat e tyre gjithmonë të mbushur plot. Por këtë vit ndryshe nga udhëtimet drejt Italisë, SHBA, Turqisë, Greqisë, Spanjës etj., i kanë zëvendësuar me vendet turistike që ofron Shqipëria, të cilat sivjet janë mbushur me ministra, deputetë e këshilltarë



Meta

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, së bashku me familjen e tij janë ndalur në fshatin e Dhërmiut për të kaluar pushimet për këtë vit. Megjithëse në Shqipëri, familja Meta nuk e ka lënë pas luksin dhe kënaqësinë. Nuk kanë munguar udhëtimet me jaht në zonat më të bukura të bregut shqiptar, duke kaluar kështu ditët e nxehta të gushtit në ujin e pastër që ofron deti Jon.


Olldashi

Në bregun e Dhërmiut po pushon së bashku me familjen e tij edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Ky i fundit është parë shumë pranë Kryeministrit Berisha dhe familjes së tij, të cilët gjithashtu po pushojnë në këtë fshat. Olldashi ka preferuar ashtu si Kryeministri bregun shqiptar për të kaluar disa ditë të qeta pas një fushate të lodhshme dhe intensive.


Topalli

Ndryshe nga Berisha e Olldashi, Kryetarja e Kuvendit ka preferuar që të pushojë fundjavave në bregdetin e Durrësit, pasi ajo ende nuk e ka mbyllur zyrtarisht punën e saj. Mësohet se gjatë javës ajo është në zyrë, ndërsa të premteve pasdite, të shtunën dhe të dielën udhëton drejt Durrësit dhe herë pas here edhe në Shëngjin për të kaluar ndonjë ditë më të qetë.


Bode

Ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili mban mbi supe dhe peshën më të rëndë në këtë kohë krize, e ka gjetur gushti në zyrën e tij së bashku me zëvendësministra. Ministri Bode ende nuk ka ndonjë ide të qartë për pushime këtë vit, por pritet që ndonjë fundjavë dhe ai të udhëtojë drejt Durrësit për t‘u larguar nga shifrat dhe dita e ngarkuar me punë.


Bregu

Në zyrë, java ka gjetur edhe ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. Ashtu si disa ministra të kabinetit qeverisës edhe ajo ndodhet në zyrë, por fundjavat së bashku me familjen për të duhet të jenë më të qeta ndaj udhëton shpesh drejt Durrësit. Mësohet se edhe ministrja Bregu këtë vit nuk pritet të bëjë ndonjë ditë pushimi të plotë, duke mos u larguar nga Shqipëria.




Harasani

Ndryshe nga zyrtarët e lartë të së djathtës apo të LSI-së, Harasani, ashtu si edhe kryetari i Partisë Socialiste, Rama, ndodhet për pushime me familjen në SHBA. Pushimet e Harasanit kanë filluar ditë më parë, ndërsa një pjesë e zyrtarëve të Partisë Socialiste janë kthyer për të qenë në seli gjatë kohës që kryetari Rama nuk ndodhet aty.
avatar
ADMIN
admin
admin

Numri i postimeve : 902
Points : 859
Reputation : 10
Registration date : 10/01/2009

Shiko profilin e anëtarit http://www.Bajzianet.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi