Kosova, një "luan" i ri në Evropë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Kosova, një "luan" i ri në Evropë

Mesazh nga ADMIN prej Mon Jun 08, 2009 6:49 pm

Kosova, një "luan" i ri në Evropë
Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, flet për letërsinë, por edhe për zgjedhjet


Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës viziton shtetin më të ri në Evropë. Në një intervistë dhënë në emisionin "Rubikon", në Televizionin Kombëtar të Kosovës, për gazetarin Adriatik Kelmendi, ka folur për pavarësinë e Kosovës, procesin e njohjes së saj, rolin e Evropës dhe Serbisë. Shkrimtari thekson se në këtë moment pritet një aktivizim më i madh i diplomacisë kosovare. Ndërkaq, nga Kosova, Ismail Kadare ka folur edhe për fushatën zgjedhore në Shqipëri, ku thekson se e mira është që zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve të botës së qytetëruar, pavarësisht forcës politike që do të fitojë, ndërsa nuk ka lënë mënjanë edhe letërsinë.

Si e shikoni procesin e njohjeve të shtetit të ri? Tashmë kemi rreth 60 njohje, mjafton kjo për këta 15 muaj?

Normalisht duhet të kishte më shumë, megjithatë nuk duhet të krijohet ndonjë brengë për gjithë atë keqkuptim që Kosova ka krijuar në shekullin XX dhe XXI. Ka pas shumë-shumë propagandë kundër Kosovës, domethënë ne ende nuk jemi të ndërgjegjshëm se sa forca, rrethana, rryma shoqërore, filozofike, publicistike e letrare kanë qenë kundër Kosovës. Ishte një botë e tërë që ishte lidhur me mbeturinat e botës komuniste dhe gjithashtu me fajet e Shqipërisë komuniste, e cila ka ndikuar kundër Kosovës. Kosova ka larë disa herë borxhe që nuk ishin të sajat dhe kështu që pritej kjo gjë, pritej një keqkuptim i madh, se keqkuptimi ishte që kur se një kohë të gjatë u lejua gjendja në Kosovë. Evropa, një kontinent jashtëzakonisht i emancipuar, e kishte pranuar në heshtje këtë gjendje që ishte skandaloze. Ajo sigurisht bëri shumë pastaj për ta shlyer dhe e shleu. Evropa ka bërë një aksion madhështor, i cili në radhë të parë, përpara se të ishte ushtarak, ishte emancipues për veten e saj, ajo i bëri nder vetes që luftoi për popullin shqiptar. Nuk e themi këtë vetëm se jemi shqiptarë, por për çdo popull që do ta bënte, do t‘i bënte nder vetes. Tashti, cili është thelbi i asaj që po ndodh? Forcat që kanë qenë kundër këtij aksioni emancipues evropian, përpiqen në mënyra tinëzare që ta neutralizojnë këtë aksion, si ai uji që gërryen shkëmbin çdo ditë. Ato përpiqen çdo ditë që ta revizionojnë, që të krijojnë një vizion të ri të ngjarjeve të Kosovës. Me dy fjalë vizioni është ky: që atje kanë ndodhur gjëra të pakëndshme, të rënda ndoshta, por si në çdo konflikt, sigurisht në Ballkan dy etni me 300 a 500 vjet armiqësi u përleshën më në fund dhe i krijuan dëme njëri-tjetrit. Kjo është strategjia, domethënë ajo quhet simetrizimi i krimit dhe forcat antishqiptare kanë arritur një farë suksesi me këtë. E vërteta është që unë jam për parimin se çdo popull kur kritikon veten, pastron veten e vet. Vetëkritika është një gjë shumë emancipuese, por kur ajo kthehet në të kundërtën e saj, në falsifikim të së vërtetës, ajo është shumë e shëmtuar.

Ka disa vlerësime se tash, pas pavarësimit të Kosovës, Serbia është duke u marrë me të mirë, sidomos nga Bashkimi Evropian, duke arsyetuar: ja, Kosova tash u bë e pavarur dhe duhen mbyllur sytë që Serbia nuk po i dorëzon të gjithë të akuzuarit për krime lufte. Po ashtu, e dimë problemin që në veri të Kosovës ka shumë më tepër pushtet Serbia, ose mund të themi s‘ka fare pushtet Prishtina zyrtare dhe toleranca i kërkohet gjithnjë Prishtinës zyrtare. Por nuk kemi parë që është bërë ndonjë qortim i madh, apo është ndërmarrë ndonjë hap i madh për Serbinë. Po na ngjet kjo edhe me këtë që po thoni?

Unë mendoj që, në qoftë se dikush do t‘i bëjë mirë edhe Serbisë, është normale nga vizioni evropian. Është normale që ajo të kërkojë të vejë në paqe popujt ose faktorët që kanë qenë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Por varet ç‘është e mira e një vendi e cila e tjetrit. E mira e Serbisë nuk është e keqja e shqiptarëve. Duket se po t‘i bëhet diçka e keqe shqiptarëve, i bëhet mirë Serbisë. Përkundrazi, në fillim duket se është mirë për Serbinë, por është keq për të, është e njëjta dramë e vjetër që vazhdon. E mira e Serbisë është që Serbia të demokratizohet, të paqësohet gjithashtu, t‘u thotë lamtumirë pasioneve të egra që e quan në atë bombardim që pësoi dhe të mos ngushëllohet me veten. Ne tashti e morëm pjesën tonë të ndëshkimit dhe duhet të bëjmë prapë si përpara. Jo. Unë nuk e di, nuk bëj pjesë në organizmat evropian që të di se si gjykojnë ata, por jam i sigurt se po t‘u shpjegohet miqve tanë evropianë me gjakftohtësi një gjë e tillë, ata do ta kuptojnë se ç‘është e mira dhe ç‘është e keqja e popujve në Ballkan. Mendimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshueshëm, e mira e çdo populli në Ballkan është e mirë kur është e mira e të gjithëve, ose të jetë pjesë e të mirës së përgjithshme. Nuk ka të mira që dëmtojnë të tjerët, të mirat që duket se dëmtojnë të tjerët, do të thotë se dikush nuk ka të drejtë.

Ka edhe anën tjetër kjo çështja e pavarësimit të Kosovës, duke parë pak a shumë një dozë hezitimi nga vetë shqiptarët që të imponohen edhe më tej. Shpesh ka kritika edhe për vetë numrin e njohjeve që nganjëherë duket i vogël, se duhet të ketë një rol më aktiv të vetë shqiptarëve, të vetë diplomacisë shqiptare në Kosovë dhe më gjerë, që të ketë imponim më tepër për t‘u njohur shteti i Kosovës...

Po, është e vërtetë një përshtypje e tillë. Sot, në bisedë me miqtë, u thashë se pritet një aktivizim më i madh i diplomacisë kosovare. Kosova është si një luan i ri që ka dalë në skenë dhe ajo duhet të jetë e vrullshme, duhet të ketë energji të madhe. Më mirë nga energjia t‘i shpëtojë ndonjë gabim, se sa të jetë e mefshtë. Një shtet i ri, një komb që del në liri është gjithmonë energjik dhe prandaj përfaqësitë e tij në botë e sidomos në Evropë, atje ku vazhdon të vendoset fati i tij, të konsolidohet fati i tij, duhet të jenë më të vrullshme, më dinamike, të mos tuten, të bëhen të ndërgjegjshëm që ata kanë të drejtë, se liria që ata morën është e drejtë dhe mungesa e lirisë ishte turp për të gjithë. Pra, kurrsesi të mos bien në atë sugjestionin, i cili përpiqet të hapet nga pala tjetër, që ishte gabim ndëshkimi i Serbisë, rrjedhimisht ishte gabim që Kosova u çlirua. Kjo duhet hedhur me nënçmim, me përbuzje nga kushdo që thuhet, edhe nëse thuhet nga një farë filozofi, shkencëtari ose njeriu me mjekër të bardhë të cilit i dëgjohet çdo fjalë. T‘i thuhet: zotëri, ti po flet kundër lirisë së një populli. Të flasësh kundër lirisë së një populli, siç është rasti i lirisë së Kosovës, që e kishte humbur dhe ishte turp për gjithë kontinentin evropian që vazhdonte të ishte në robëri në mes të lirisë evropiane... Shqipëria dhe Kosova bashkë duhet të ndjehen mirë në këtë kohë, Evropa ka bërë luftë për ta, ata e merituan plotësisht, ata tërhoqën vëmendjen e këtij kontinenti dhe ata duhet ta ruajnë këtë simpati. Këtë simpati duhet ta ruajnë mbi të gjitha për veten e tyre, sepse jetojnë në këtë kontinent, në këtë familje dhe duhet të jemi mirë me ta.

Ndërkohë ka pasur edhe një që është quajtur bllokadë nga shtetet islamike, kurse kohët e fundit u kalua edhe një rezolutë, e cila nuk mbështet pavarësinë e Kosovës, por mbështet përparimin e Kosovës dhe kërkon që Kosova të forcohet ekonomikisht, që u quajt dhe u vlerësua si një depërtim i ri atje. Deri më tash e kanë njohur Kosovën 13 nga 57 vende të Konferencës Islamike, kështu që edhe një herë po na shpërfaqet kjo çështja e fesë, që më herët thuhej se shqiptarët kanë mbetur peng i Evropës, e cila është në masë të madhe e krishterë, kurse tash edhe duke qenë shumicë myslimane duket se nuk po mjafton shumë, pasi e gjithë politika hyn në rolin e Amerikës dhe luftërat e fundit duket sikur s‘e kanë ndryshuar gjendjen, ndërsa kosovarët po mbesin peng i politikave të mëdha.

Mendoj se sigurisht është një lajm i mirë nëse është miratuar një rezolutë e tillë, ndonëse siç thatë ju. Por duhet thënë nga ana tjetër, për hir të së vërtetës, kjo ka qenë një njohje e ngadaltë nga këto vende dhe për çudi nuk ka pasur ndonjë arsye objektive. Unë nuk di, nuk shoh se ku u prekën interesat e tyre, një hezitim kaq i gjatë, duhet ta kishin njohur... Shumë mirë që e bënë atë që e bënë, me vonesë që e përmendët ju, por që të themi, të analizojmë se ka pasur këtë dhe atë arsye, unë nuk e kuptoj dot. Arsyet mund të jenë të papërfillshme, nostalgjira të vjetra me Titon, Nehrunë, Naserin..., ku ta di unë. Në qoftë se ata kanë mbetur rob të këtyre nostalgjive para 40 vjetëve, aq më keq për ta. Por nga ana tjetër, Kosova nuk duhet ta presë si dhuratë këtë gjë, nuk duhet. Nuk ka asnjë arsye objektive, njerëzore dhe morale nga çdo pikëpamje që të hezitohet kaq gjatë. Ka vetëm arsye të paqarta që tregojnë diçka të errët. Shtete që kanë bërë deklarata agresive kundër Kosovës, për mua kanë turpëruar veten e tyre moralisht. Qëndrimi i tyre nuk justifikohet historikisht. Pse të jesh kundër një populli, çfarë ka bërë ky popull? Ka kërkuar lirinë e vet, e ka marrë më në fund. Këtë pas masakrave të tmerrshme, pas tragjedive të pafund që ende nuk janë përshkruar, se shqiptarët janë treguar shumë të kursyer në tregimet e atyre që kanë pësuar, shqiptarët nuk kanë abuzuar me këtë gjë. E shoh se nuk është tërhequr vëmendja në botë për këtë gjë dhe ne duhet ta tërheqim vëmendjen. Shqiptarët duhet t‘i tregojnë Evropës, t‘ia kujtojnë së paku se, "zotëri, keni dëgjuar ndonjëherë që ne të përmbysim ndonjë avion ose të hedhim ndonjë bombë në kafenetë e Beogradit, apo të masakrojmë autobusë me serbë në mes të Beogradit"? Shumë e lehtë për ta bërë, aq më tepër shqiptarët janë kokëshkretë. Nuk mund të thuash se janë aq të kujdesshëm, mund ta bënin, kanë etje për lavdi, sepse edhe këtë mund ta bëjnë, domethënë për t‘u shtyrë nga motive negative...

Për t‘u kënduar këngë shpesh...

Edhe për t‘u kënduar këngë, por nuk e kanë bërë këtë. E kjo është një meritë, është një popull që ka qenë midis Evropës, ka luftuar për lirinë dhe nuk ka një akt frikësues kundër serbëve dhe duhet çmuar kjo gjë. Duhet çmuar edhe e drejta e tij që ai nuk po abuzon me krimet, nuk po nxjerr tërë ditën reklama me plagë, se ka tmerre që kanë ndodhur në Kosovë që bota ende nuk i di. Shpresa e këtyre formave revizioniste për ta rishkruar historinë është që sa të harrohen pak këto, njerëzve t‘u krijohet një bindje se ka pas grirje e vrarje nga të dyja palët, kanë bërë të dyja palët marrëzira. Dikur, kur vjen faza e tretë, do të thuhet se shqiptarët ju kanë rënë më qafë serbëve, kështu do të përfundojë sipas mendjes së tyre një histori i tillë. Epo Shqipëria, Kosova, gjithë kombi shqiptar, duhet të tregojë të vërtetën, jo për të nxitur armiqësi me serbët, përkundrazi për të filluar procesin e vërtetë të paqes me ta. Procesi i çdo paqeje, kur dy klane janë në konflikt, dy lagje, dy qytete ose dy kombe, fillon vetëm nga njohja e fajit të atij që ka bërë fajin kryesor, në qoftë se ka faj kryesor, dhe që nuk përjashton njohjen e fajit edhe nga ai që, për arsye hakmarrjeje, e teproi me hakmarrjen e vet, përgjigjen e vet. Unë nuk jam kundër që ata shqiptarë që kanë bërë krime të dënohen, të dënohen aq sa kanë bërë, por të thuhet e vërteta kaq dhe kaq.

Këtu në Kosovë, ditë më parë qëndroi edhe nënpresidenti amerikan, Joe Biden, i cili erdhi në kuadër të një turi ballkanik, ku u ndal në Sarajevë, në Beograd dhe e fundit ishte në Prishtinë. Një nga mesazhet e fuqishme ishte se nuk do të ndahet Kosova dhe se pavarësia është e pakthyeshme. Ai tha se vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian. Ky mesazh nga Amerika vjen në kohën kur hezitimet rriten gjithnjë e më tepër në shumë kryeqendra evropiane, se duhet thënë mjaft me integrimet në Bashkimin Evropian pas Kroacisë. Duhet edhe një herë roli i Amerikës për të shtyrë përpara çështjet e komplikuara në Ballkan?

Unë nuk jam specialist i politikës. Duhet të dimë një gjë, që deklaratat politike janë shpesh herë të përhershme, ruajnë fuqinë e tyre për një kohë të gjatë, por ato shpesh herë janë edhe të përkohshme. Vetë politika është një mekanizëm, një proces që ka fazat dhe ligjet e saj, prandaj ne duhet ta dallojmë atë që është e qëndrueshme, e palëvizshme, siç thatë në deklaratën e Bidenit që pavarësia është e pakthyeshme, Kosova nuk ndahet, vendi i saj në Bashkimin Evropian. Ky është lajmi i gëzuar. Në qoftë se nga këto lajme që çdo ditë merr administrata kosovare nga miqtë e saj ndërkombëtarë, mund të ketë edhe të tillë që kërkojnë sqarime, plotësime, atëherë Kosova duhet t‘i bëjë ato në mënyrë të qetë, siç bëhet në mes miqve, siç bëhet në mes partnerësh, që do të thotë se në fund të fundit kanë qëllime të përbashkëta. Sqarimet për këtë arsye janë gjithmonë të dobishme.

Ka filluar fushata zgjedhore në Shqipëri. Ju më herët keni thënë se është mirë që të ndërrohen kohë pas kohe pushtetet. Çfarë prisni nga këto zgjedhje në Shqipëri?

Unë pres që të zhvillohen mirë mbi të gjitha, të zhvillohen ashtu siç kërkojnë standardet e botës së qytetëruar. Kjo është mbi të gjitha.

Pavarësisht se kush fiton?

Pavarësisht se kush fiton.

Të flasim pak për letërsinë. Keni qenë në listën e ngushtë edhe të një çmimi të madh ndërkombëtar, ku shpërblehen shkrimtarët që nuk shkruajnë drejtpërdrejt në gjuhën angleze, pra përkthehen. Është fjala për "Independent Foreign Fiction Prize". Ishit në mesin e 6 të përzgjedhurve, nga dhjetëra mijëra libra që mund të përkthehen gjatë një viti në gjuhën angleze. Si e vlerësoni këtë? Keni filluar gjithnjë e më tepër që të jeni në rrethin e ngushtë, apo dhe të fitoni çmime ndërkombëtare?

Më ka qëlluar që edhe kam marrë shpërblime, një shkrimtar është normale që të marrë shpërblime, siç është normale të mos marrë, madje në shumicën e rasteve nuk merr. Ky libër, është libri "Kështjella", romani im. Për mua është kënaqësi që libri im, të cilin e kam shkruar 40 vjet përpara, në kulmin e asaj që quhet botë komuniste, është botuar më 1970, ndërsa e kam shkruar një vit më herët. Ndërsa papritur, në vitin 2009, figuron në mesin e 6 librave që mund të pretendonin çmim në Angli nga letërsia botërore. Është vërtet prekëse. Kam qenë i ri kur e kam shkruar. Të më thoshte njeri që do të vinte koha që ky libër të konkurronte në Britaninë e Madhe pas 40 vjetësh, do të ishte e pabesueshme.

Mund të na tregoni çfarë mund të presim nga aspekti i letërsisë prej jush?

Ndonjë libër...


avatar
ADMIN
admin
admin

Numri i postimeve : 902
Points : 859
Reputation : 10
Registration date : 10/01/2009

Shiko profilin e anëtarit http://www.Bajzianet.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi