Largimi i Dules ndryshon qeverinë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Largimi i Dules ndryshon qeverinë

Mesazh nga ADMIN prej Fri May 15, 2009 4:20 am

Largimi i Dules ndryshon qeverinë
Kreu i PBDNJ-së rrëfehet në "Top Story": Berisha ka vendosur të hakmerret ndaj nesh
Erjon Ajazi


Ndryshon sërish qeveria "Berisha" vetëm 45 ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme elektorale. Surpriza e fundit e PBDNJ-së për të braktisur Partinë Demokratike, duke bërë fushatë bashkë me të majtën, ka sjellë zyrtarisht edhe largimin e ministrit Anastas Duro nga kabineti. Vetëm pak orë nga vendimi i Kryesisë së PBDNJ-së për të kaluar majtas, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, i ka dorëzuar Kryeministrit Sali Berisha dorëheqjen nga posti që mbante. Dorëheqja e ministrit Duro është zyrtarizuar paraditen e djeshme dhe është pranuar edhe nga kreu i qeverisë, i cili ka emëruar menjëherë në postin ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta një tjetër anëtar të kabinetit të tij, zëvendësministrin e Drejtësisë, Viktor Gumi. Kryeministri Berisha ka dorëzuar menjëherë në presidencë emrin e ministrit të ri të qeverisë së tij, dhe kreu i shtetit, Bamir Topi, brenda 2 orëve ka dekretuar anëtarin e ri të qeverisë. Shefi i mazhorancës i propozoi Këshillit të Ministrave emërimin e Doktores së Shkencave Juridike, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës, Paulina Hoti, në detyrën e zëvendësministres së Drejtësisë. "Opinioni publik është informuar në lidhje me vendimin e PBDNJ-së, që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të garojë në koalicionin opozitar ‘Bashkimi për Ndryshim‘. Në këto kushte, si rrjedhim logjik i situatës politike të krijuar, si ministër i propozuar dhe përfaqësues i PBDNJ-së në qeverinë Berisha, nuk mund të vazhdoja ta mbaja më këtë funksion", u shpreh Anastas Duro. I paraqita Kryeministrit Berisha propozimin për dorëheqjen time nga detyra e ministrit, tha ai, duke shprehur njëkohësisht edhe konsideratën time më të lartë për bashkëpunimin dhe vlerësimet e larta që kam pasur për periudhën gjatë së cilës kam mbajtur postin e Ministrit të Punës në kabinetin Berisha. Pyetjes nëse ka qenë dakord me vendimin e PBDNJ-së për të kaluar në koalicionin e PS-së, Duro i është përgjigjur se, edhe pse për shkak të impenjimeve nuk ndodhej në mbledhjen në të cilën është marrë vendimi, por si anëtar i kryesisë, në zbatim edhe të parimeve të demokracisë, i bindet vendimmarrjes së shumicës.

PBDNJ është përfaqësuar në koalicionin qeverisës për katër vjet me Ministrinë e Punës. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, Juela Meçani, ka bërë publik vendimin për dorëheqjen e ministrit Duro dhe emërimin në këtë post të Viktor Gumit. "Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, priti ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, i cili, duke i shprehur Kryeministrit Berisha vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin me Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare, paraqiti dorëheqjen e tij, pas faktit se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u nda nga koalicioni qeveritar dhe kaloi në koalicionin opozitar", tha Meçani.

Si lëvizën mandatet e PBDNJ-së nga vitet 1991-2005


Lëvizja e Dules

garanton tre

deputetë në qershor


Favorizimi brenda së majtës në tre qarqe


Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kërkon të paktën tre deputetë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Kapërcimi i PBDNJ-së në kampin e majtë e favorizon këtë parti në tre qarqet e jugut. Në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, aty ku të qenit brenda të majtës do të ndihmojë partinë e Vangjel Dules të marrë nga një deputet. Duket qartë se kjo ka qenë arsyeja që ka joshur PBDNJ-në për të braktisur Partinë Demokratike dhe për t‘iu bashkuar koalicionit "Bashkimi për fitore". PBDNJ-ja pritet që në zgjedhjet e ardhshme të synojë më shumë se tre deputetë, ku të parin në listën e saj për Qarkun e Tiranës ka edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Leonard Solis. "U larguam nga PD për disa arsye politike dhe u afruam në koalicionin e majtë për qëllime matematike. Formula të detyron të shkosh në një koalicion, sepse vetëm në Tiranë minimumi që duhet të marrë një kandidat për t‘u bërë deputet është 9700 vota, kurse me koalicion kjo shifër ulet dhe pritet të kalojë në 6 mijë", tha Solis. Ndërsa kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, theksoi se ishte në dijeni të vendimit të dorëheqjes së ministrit të Punës dhe se në PBDNJ nuk ka asnjë përplasje në lidhje me vendimin e kryesisë për koalicion me të majtën. Për gjashtë legjislaturash, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë me një numër më të madh deputetësh sesa katër vitet e fundit. Në zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991, organizata "Omonia" ka fituar pesë karrige deputetësh në Parlament. Andrea Zarballa, Jani Gjyzeli, Jani Jani, Panajot Barka dhe Thoma Miço përfaqësuan deri në zgjedhjet e 22 marsit të 1992-shit minoritetin në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të vitit 1992, me fitoren e Partisë Demokratike, PBDNJ mori dy vende në Kuvend, duke u përfaqësuar nga Kosta Makariadhi dhe Thoma Miço. Në legjislaturën e 14-të, pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, PBDNJ siguroi nga votat e elektoratit 3 deputetë, ku njëri prej tyre hyri nga lista shumemërore. Mes tre deputetëve, futet në Parlament edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Pas zgjedhjeve të 29 qershorit të 1997-ës, PBDNJ fiton katër mandate deputetësh, dhe përfaqësohet në Parlament me Vasil Melon, Kristo Goçin, Ligoraq Karamelon dhe Ziso Llucin. Në legjislaturën e 16-të, partia e minoritetit grek fiton sërish 4 vende në Kuvend dhe përfaqësohet nga Kristo Goçi, Ligoraq Karamelo, Vangjel Dule dhe Vasil Melo. Nga zgjedhjet e 2005-ës, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut çon në Kuvend Vangjel Dulen dhe Leonard Solis, të cilëve u bashkohet edhe deputeti i pavarur, Spiro Peçi.

Rezultatet në zgjedhje


31 marsi 1991

Andrea Zarballa

Jani Gjyzeli

Jani Jani

Panajot Barka

Thoma Miço


22 marsi 1992

Kosta Makariadhi

Thoma Miço


26 maji 1996

Thoma Miço

Vangjel Dule

Vasil Melo


29 qershori 1997

Vasil Melo

Kristo Goçi

Ligoraq Karamelo

Ziso Lluci


24 qershori 2001

Kristo Goçi

Ligoraq Karamelo

Vangjel Dule

Vasil Melo


3 korriku 2005

Vangjel Dule

Leonard Solis

Spiro Peçi




Reagimi


Largohet edhe Ziso Lluci


Prefekti Spiro Ksera

tërhiqet nga lista


Dorëhiqet nga kandidimi për deputet nën siglën e PBDNJ-së Spiro Ksera. Vendimi më i fundit duket se është marrë i diktuar nga zhvillimet e ndodhura këto dy ditë në gjirin e PBDNJ-së dhe "Omonia"-s. Po dje, Ziso Lluci, kryetar i Komunës Finiq në Delvinë, anëtar i Kryesisë së PBDNJ-së, i ka dorëzuar Dules dorëheqjen. Ksera, si një ndër kundërshtarët potencialë të aleancës parazgjedhore të PBDNJ-së me koalicionin e majtë në zgjedhjet e 28 qershorit, ka ndërmarrë këtë hap në kushtet e një polemike të theksuar mes tij dhe Vangjel Dules gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë së kësaj partie në Tiranë, ku me shumicë votash u vendos për daljen në një grupim politik me subjektet opozitare. Si kryetar i OMONIA-s dhe PBDNJ-së për Gjirokastrën, Ksera ka mbledhur me urgjencë kryetarët e grupseksioneve të komunave minoritare, si dhe të zgjedhurit në njësitë vendore, duke i njohur ata me vendimin e dorëheqjes nga kandidimi. Zoti Ksera fill pas këtij takimi të zhvilluar në orët e drekës së të enjtes, i cili zgjati më tepër se 120 minuta, ka denoncuar vendimin e lidershipit të PBDNJ-së, i cili sipas tij ka qenë absurd për daljen në një koalicion të vetëm me forcat e majta politike. "Nuk është marrë në konsideratë vendimi unanim i OMONIA-s, që kjo forcë politike të dilte e vetme në zgjedhjet parlamentare", u shpreh zoti Ksera, teksa nënvizoi se kjo organizatë ka mbështetje të gjerë në qarqet e Gjirokastrës dhe Vlorës. Prefekti i Gjirokastrës, gjatë deklarimit të tij është shprehur indirekt se do të kandidojë për deputet në listën e një subjekti tjetër politik, nëse kjo sipas tij do të kërkohet nga strukturat e bazës së "Omonia"-s në Gjirokastër. "Vendimi që mora është tërësisht moral, ndaj dhe vendosa që kësaj here edhe në bazë të mbështetjes që kam nga strukturat e ‘Omonia‘-s dhe PBDNJ-së të jetë i pakthyeshëm", theksoi Ksera. Sipas tij, strukturat e bazës së "Omonia"-s dhe PBDNJ-së kanë shprehur pakënaqësinë për vendimin më të fundit të PBDNJ-së për koalicion me socialistët dhe kjo është e faktuar me sms-të e shumta të ardhur në celularin e tij nga anëtarët e thjeshtë. Ai shtoi se gjatë dy ditëve në vijim do të marrë kontakte me anëtarësinë për të njohur opinionet e tyre rreth vendimit më të fundit. Prefekti i Gjirokastrës nuk e ka fshehur opinionin e tij pozitiv për bashkëpunimin me PD-në gjatë katër viteve të fundit në qeverisje, duke e quajtur të suksesshëm. Sipas tij, janë gjetur hapësirat e duhura qoftë në investimet e shumta në infrastrukturën e zonës së minoritetit, si dhe në investimin intelektual. "Vendimet politike të liderit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, shpresoj të analizohen më datë 29 qershor, një ditë pas zgjedhjeve", pohon Ksera.
avatar
ADMIN
admin
admin

Numri i postimeve : 902
Points : 859
Reputation : 10
Registration date : 10/01/2009

Shiko profilin e anëtarit http://www.Bajzianet.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Largimi i Dules ndryshon qeverinë

Mesazh nga arberia prej Fri May 15, 2009 2:31 pm

nuk e di por mua s'me kane pelqyer asnjehere keto aleanca me PBDNJ-ne...
avatar
arberia
Antar i e shquar
Antar i e shquar

Numri i postimeve : 626
Points : 341
Reputation : 61
Registration date : 19/01/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi