Djali i dehur, masakër në familje

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Djali i dehur, masakër në familje

Mesazh nga ADMIN prej Wed Apr 15, 2009 4:15 am

Djali i dehur, masakër në familje
Krim i dyfishtë në qytetin e Vlorës. I riu vret babanë dhe shokun e tij, plagos nënën dhe kushëririn
Mikel Marsi


Një krim i dyfishtë brenda familjes ka ndodhur mesnatën e së hënës në Vlorë. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se 23-vjeçari Arion Lulaj nga qyteti bregdetar, ka vrarë me armë automatike të atin dhe shokun e tij të ngushtë, ndërkohë që ka lënë të plagosur të ëmën dhe djalin e dajës. Ngjarja ka ndodhur pak para mesnatës, në lagjen "24 maji" në periferi të qytetit të Vlorës, në zonën afër pyllit të Sodës. Në gjendje të dehur, pas një grindjeje banale, i riu ka dalë nga shtëpia dhe më pas është rikthyer me një automatik. Sapo ka hyrë në dhomë, ai ka qëlluar pa paralajmërim në drejtim të babait, Musait, të ëmës Sofies, 45 vjeçe, djalit të dajës, Jovan Lazaj, 28 vjeç, me banim në fshatin Picar të Rrethit të Vlorës dhe shokut të tij, Bledar Xhaferraj. Nga plumbat e marrë kanë mbetur të vdekur në vend i ati 51 vjeç si dhe shoku i tij 28-vjeçar Xhaferraj. Ndërkohë nëna dhe kushëriri i tij kanë marrë plagë të rënda në këmbë, por tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e qytetit.

Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bëjnë të ditur se 23-vjeçari Lulaj, së bashku me kushëririn dhe një shokun e tij, kanë qenë për një drekë të hënën në fshatin Lubonjë. Aty, ata kanë konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli. Pas gostisë janë kthyer për në Vlorë me makinën e tyre të tipit "Mercedes Benz" me targa VL 2142 C. Sapo kanë ardhur në shtëpi, të rinjtë kanë nisur të pinë sërish alkool. Sipas dëshmitarëve të mbetur gjallë, të rinjtë kanë qenë duke pirë dhe rreth orës 22:30 kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin. Ndërhyrja e prindërve nuk ka mundur t‘i qetësojë dhe ata kanë vazhduar të grinden. Në një moment, Arioni ka dalë nga shtëpia, që ka vetëm nga një dhomë dhe të afërmit kanë dëgjuar jashtë një breshëri automatike. Pas disa minutash, ai është rikthyer në banesë me një automatik në duar dhe pa folur fare ka qëlluar në drejtim të të afërme të tij, duke lënë të vrarë të atin dhe shokun e ngushtë, ndërkohë që e ëma dhe kushëriri i tij kanë mbetur të plagosur. Pasi ka zbrazur të gjithë plumbat e karikatorit, i riu ka lëshuar armën në tokë dhe ka qëndruar në heshtje derisa kanë mbërritur uniformat blu, që kanë bërë prangosjen e tij. Të plagosurit janë dërguar menjëherë për në spitalin civil të qytetit. Ata janë vënë menjëherë nën kujdesin e bluzave të bardha dhe mësohet se tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa trupat pa jetë të dy viktimave janë dërguar fillimisht në morgun e qytetit dhe më pas për në banesat e tyre. Dje pasdite është zhvilluar ceremonia mortore e të zotit të shtëpisë, Musa Lulaj, dhe e 28-vjeçarit Bledar Xhaferaj, ku kanë marrë pjesë të afërm dhe miq të të dyja familjeve.

Familja Lulaj prej pak kohësh kishte zbritur në qytetin e Vlorës, nga fshati Lezhan i Komunës Sevaster të Vlorës. Ata kishin ndërtuar një shtëpi në zonën informale në lagjen "24 Maji" të qytetit.

Sofie Lulaj flet nga spitali: Më mirë të kisha vdekur edhe unë bashkë me burrin


Nëna e vrasësit: Të kishte

kursyer të paktën shokun



Sofie Lulaj, nëna e Arionit, e shokuar nga krimi i të birit, nuk gjen dot fjalët për të shpjeguar tragjedinë që ndodhi brenda pak minutash në familjen e saj. E plagosur nga arma e të birit, ajo rrëfen minutat e tmerrit të mesnatës të së hënës:

Si reaguat kur patë që djali hyri me armë në shtëpi?

Askush nuk pati kohë të reagonte, sepse ata ishin të dehur. Veç kësaj, nuk patëm kohë, sepse ai sa hyri filloi të qëllonte me breshëri brenda në shtëpi. I ati tentoi t‘i merrte armën, por nuk mundi. U shtrimë për tokë për t‘u mbrojtur, por plumbat na prekën të gjithëve. Im shoq dhe shoku i djalit vdiqën menjëherë, ndërsa unë dhe nipi u plagosëm të dy në këmbë. Bërtita e tmerruar dhe rashë mbi burrin, duke i kërkuar djalit se përse e bëri gjithë këtë kasaphanë. Por ai nuk u ndje fare, vetëm rrinte dhe shikonte i habitur pa folur, ndërsa armën e la në tokë.

I thashë: "Nuk ngeli gjë tjetër për të bërë tani, vramë dhe mua, mos më lërë gjallë, se babanë e vrave, shokun e vrave". Por sërish s‘foli. Vetëm shikonte i heshtur. Ishte një moment i tmerrshëm, breshëri arme, unë që bërtisja, ne të katër të mbytur në gjak. Nuk dija se çfarë po ndodhte, vetëm ulërija, deri sa erdhi policia dhe komshinjtë që na morën dhe na sollën në spital.

Gjatë kohës që ndjenjën në shtëpi, bënë fjalë me njëri-tjetrin?

Ata erdhën të dehur, por nuk debatuan. U grindën siç bëjnë zakonisht të dehurit, bën pak debate, por më tepër si për shaka. Vetëm kur një moment djali u ngrit papritur, doli jashtë dhe pas disa minutash hyri me armën në dorë.

Po më parë kishit pasur ndonjë konflikt në shtëpi?

Ne kemi qenë të varfër dhe jemi të varfër. Kemi vetëm një dhomë në të cilët jetojmë kur erdhëm nga fshati. E kemi ngritur me sakrifica të mëdha, me kursime të mëdha, sepse jemi pa punë. Djali ka bërë tre kurse për hidraulik, por nuk ka gjetur punë, jetojmë vetëm me ndihmë ekonomike. Por dhe pse kemi qenë të varfër, nuk kemi pasur asnjëherë sherr në familje dhe me djalin kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Ai ka qenë djalë i urtë dhe i sjellshëm, habitem nga veprimi.

Si mendoni ju, përse ndodhi kjo tragjedi?

Nuk ka asnjë arsye. Gjithçka ka ndodhur për shkak të pijes. Gjithçka të kishte bërë, vetëm shokun mos të kishte vrarë. Ai jetonte afër shtëpisë sonë dhe ishte djalë shumë i mirë. Më habit fakti se ku e gjeti armën, sepse nuk ia kishim parë asnjëherë dhe kur hyri në dhomë, shtangëm të gjithë, se nuk e mendonim kurrë që mund të qëllonte mbi njerëzit e shtëpisë, por fatkeqësisht ndodhi ajo që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë.

Djali tashmë do të jetë në burg, do shkoni ta takoni?

Do të ishte më mirë që dhe unë të mos jetoja më, sepse nuk e dua më jetën, tani që familja ime u shkatërrua. Nuk di se çfarë do të bëj. Do ia lëmë kohës.



Operacioni u organizua pas një njoftimi për krisma armësh në zonë


Arrestimi, nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë


Burime zyrtare nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se sapo janë sinjalizuar që në vendin e quajtur "Kanali i Motorit" ishin dëgjuar breshëri armësh, janë nisur menjëherë forca të shumta policore, të cilat kanë rrethuar zonën dhe banesën në të cilën kishte ndodhur ngjarja. Uniformat blu kanë gjetur të përgjakur kushëririn e 23-vjeçarit dhe është mësuar se mund të bëhej fjalë dhe për viktima të tjera. Policia ka mbajtur të rrethuar gjithë zonën dhe në ndihmë të tyre kanë shkuar Forca të specializuara të Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisura me mjete mbrojtëse dhe ndriçuese, pasi zona dhe terreni ishin shumë të vështira. Pas rreth një ore është bërë i mundur depërtimi në banesë dhe arrestimi i 23-vjeçarit të lindur në fshatin Lezhan të Komunës Sevaster, por që prej disa kohësh jetonte në periferi të qytetit të Vlorës, në zonën informale pranë Pyllit të Sodës. I riu nuk ka bërë rezistencë dhe i është dorëzuar policisë. Sipas dëshmisë së nënës së tij, pasi ka shkrehur karikatorin, i riu ka lënë armën përtokë dhe ka qëndruar i heshtur, derisa ka mbërritur policia që e ka arrestuar.

Në banesë janë gjetur e sekuestruar me cilësinë e provës materiale një armë kallashnikov me tytë metalike, 24 copë gëzhoja dhe një autoveturë e tipit "Benz", me targa VL2142C. Të gjitha materialet procedurale i kanë kaluar prokurorisë së rrethit, ndërkohë që 23-vjeçari do të gjykohet për veprat penale të: "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" dhe "armëmbajtje pa leje".
avatar
ADMIN
admin
admin

Numri i postimeve : 902
Points : 859
Reputation : 10
Registration date : 10/01/2009

Shiko profilin e anëtarit http://www.Bajzianet.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Djali i dehur, masakër në familje

Mesazh nga arberia prej Wed Apr 15, 2009 5:36 am

keto jane pasojat e armembajtjes se armes ne kushte jo normale ne shtepi dhe nga persona te paoutorizuar Mad
avatar
arberia
Antar i e shquar
Antar i e shquar

Numri i postimeve : 626
Points : 341
Reputation : 61
Registration date : 19/01/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi