Botohet pas 20 vjetesh “Atlasi dialektologjik i shqipes”

Shko poshtë

Botohet pas 20 vjetesh “Atlasi dialektologjik i shqipes”

Mesazh nga Ilda prej Wed Jan 21, 2009 10:08 am

Botohet pas 20 vjetesh “Atlasi dialektologjik i shqipes”

Realiteti gjuhësor i viteve ‘80 në Shqipëri dhe trojet shqipfolëse janë përfshirë në një atlas të veçantë, botuar 20 vjet pas përgatitjes. Dje, në ambientet e Akademisë së Shkencave, është promovuar “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”. Projekti i nisur që prej vitit 1975 nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, ka mundur të finalizohet vetëm dy vitet e fundit me botimin e dy vëllimeve. Prof. dr. Jorgji Gjinari në rolin e drejtuesit dhe gjuhëtarët Bahri Beci, Gjovalin Shkurtaj dhe i ndjeri Xheladin Gosturani kanë kryer ekspedita në të gjithë vendin, por edhe në shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, tek arbëreshët dhe te popullsia çame për të regjistruar dialektet dhe të folmet e shqipes. Ndërsa vëllimi i parë përmbante hartat e fonetikës, të morfologjisë, sintaksës dhe të dhëna të tjera shpjeguese, vëllimi i dytë i promovuar dje i kushtohet leksikut. “Është një atlas i përgjithshëm gjuhësor, jo krahinor, për shtrirjen e gjithë shqiptarëve. Ka 644 harta dhe mbi 400 faqe tekst. Për mbledhjen e materialeve kemi punuar nga viti 1975 deri në vitin 1989. Pikërisht atëherë kur ishte gati për botim, kalimi nga një sistem në tjetrin i ndryshoi gjërat. Na u desh një kohë e gjatë për ta botuar, për shkak të vështirësive në gjetjen e fondeve. Një ndihmë të madhe na ka dhënë profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Universitar Oriental të Napolit, Italo Fortino”, u shpreh profesor Gjinari. Hartat e përfshira në këtë botim sqarojnë shtrirjen dhe ndërveprimet dialektore me gjuhën letrare. Sipas drejtuesit të grupit të punës, atlasi është ndalur në 175 pika, ku gjuhëtarët kanë regjistruar gjuhën në përdorim të përditshëm nga banorët e krahinave ku kanë shkuar. Gjuhëtarët kanë vlerësuar shtrirjen e ekspeditave dhe dokumentimin e të folmeve të shqipes në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe tek arbëreshët. Gjinari thekson se e paplotësuar në atlas është gjuha e përdorur nga çamët, që mbetën në Greqi. “Atëherë nuk na kanë lejuar të bëjmë anketa gjuhësore. Na kanë thënë që nuk ka shqiptarë”. Ndonëse i botuar në muajt e fundit të 2008-ës, “Atlasi Dialektologjik i Gjuhës shqipe” paraqet një realitet dhe dukuri gjuhësore të dokumentuara në Shqipërinë e viteve ‘80. Gjuhëtarët nuk e kanë pasuruar materialin me të dhëna të marra pas ‘90-ës, kohë në të cilën lëvizja e madhe demografike e popullsisë dhe intensifikimi i mjeteve komunikuese ka kushtëzuar edhe zhvillime apo ndryshime gjuhësore. “Gjatë këtyre viteve kanë ndodhur ndryshime në shtresa të ndryshme të shoqërisë, sidomos në shtresën më të re, qofshin të shkolluar apo punëtorë. Njerëzit s‘dëgjojnë gjithnjë e më shumë radio, shohin televizor, janë pjesëmarrës në aktivitete shoqërore dhe këto mjete të komunikimit ndikojnë në gjuhën e banorëve. Pas viteve ‘90 nuk janë bërë studime. Pas përfundimit të ekspeditave në 1989-ën, studiuesit u shpërndanë. Disa dolën në pension, disa të rinj që erdhën u larguan jashtë shtetit. Do të duhet një tjetër organizim në rang gjuhëtarësh e shkencëtarësh për të caktuar kriteret për një studim të ri. Sigurisht që puna mund të plotësohet me atlasë rajonalë, të cilët lejojnë të bëhen shënime më të imëta. Nëse ne zgjodhëm 175 pika anketimi për të gjithë shtrirjen gjuhësore shqiptare, vetëm në një krahinë mund të ketë më shumë se 200 pika. Në këtë mënyrë edhe vërtetësia e materialit është më e madhe”, shprehet Gjinari. Ndërsa shprehet se sot gjuha letrare po merr gjithnjë e më shumë terren ndaj dialekteve, të cilët rrudhen vazhdimisht, thekson se në vitet ‘80 ishte e vështirë të gjykoje mbi rezultatin e veprimit të gjuhës letrare. “Në atë kohë, sapo ishte bërë zyrtare gjuha letrare shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Koha nuk ishte e mjaftueshme për të vënë në dukje rezultatet e veprimit të gjuhës letrare në shtresat e ndryshme shoqërore. Shkolla, shtypi, libri kanë ndikuar që dalëngadalë dialektet të tërhiqen qoftë në Jug, qoftë në Veri. Nuk është e vërtetë që Jugu nuk ka nevojë të mësojë gjuhën letrare. Asnjë e folme nuk përputhet tamam me të”, shprehet Gjinari. Sipas tij, gjuha letrare do të jetë në ndërveprim të vazhdueshëm me dialektet. Fjalët dialektore, që sot nuk janë aktive në gjuhën letrare, nesër mund të huazohen prej saj në përdorim sinonimik apo me kuptime të tjera. Gjinari thekson se “Gjuha letrare pasurohet vazhdimisht nga dialektet”. Profesori e quan të gënjeshtërt imazhin për lulëzimin e dialekteve si pasojë e lëvizjeve të vrullshme demografike. “Janë lëvizje të popullsisë që përkohësisht mund të japin imazhe të shtrembërta. Sidomos këto dhjetë vjetët e fundit kanë ardhur banorë të të gjitha shtresave nga fshatra të ndryshëm që kanë sjellë dialektin e tyre. Për këtë arsye tingëllon sikur dialekti lulëzon, por nuk është e vërtetë. Gjuha letrare merr nga dialektet ato që i duhen për ta pasuruar e zhvilluar më tej”, thekson Gjinari. Përveç atlasit të botuar, në arkivat audio të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë ruhen incizimet origjinale që gjuhëtarët kanë bërë në terren. Adrian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, u shpreh se ato janë përfshirë në projektin e dixhitalizimit, që pritet të mbarojë brenda 2009-ës. Më pas, sipas tij, materialet do të hidhen në internet, që të kenë një përdorim më të gjerë, e të mos mbeten vetëm në kuadrin e studiuesve të gjuhës. Duke e cilësuar atlasin si një botim të rëndësishëm për studim, i hartuar edhe në kushtet e mungesës së përvojës për punë të tilla, në kushtet e zhvillimit të sotëm gjuhësor, mbetet ende kërkesa për studime të mëtejshme.

Burimi: Gazeta Shqip

Ilda
antar shume aktiv
antar shume aktiv

Numri i postimeve : 295
Points : 16
Reputation : 0
Registration date : 18/01/2009

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi